Kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, Armend Muja, tha se sipas numërimit të raportimeve nga terreni dhe qendrat e votimit, partia e tij ka siguruar rreth 60 për qind të votave në komunën e Mitrovicës, ndërsa pret që rezultati të rritet në 62-63 për qind pas numërimit të votave nga diaspora.
“Sapo kemi përfunduar numërimin e raportimeve nga terreni, nga qendrat tona të votimit. Lëvizja Vetëvendosje këtu në Mitrovicë, pas numërimit të votave brenda vendit, i ka diku 60% të votave. Dhe po vazhdojmë numërimin e votave nga diaspora për të arritur një rezultat që ne e presim diku në 62-63%.
I pyetur nga gazetarët nëse ky rezultat mund të konsiderohet si debakël për Bedri Hamzën dhe Vjosa Osmanin, duke qenë se të dy vijnë nga Mitrovica, Muja tha se nuk do ta klasifikonte në atë mënyrë, por theksoi se bartësit e listave të PDK-së dhe LDK-së kanë qenë pikërisht nga ky qytet.
“Po shikoni, unë besoj që në politikë nuk kisha, nuk kisha klasifikuar ashtu, por e vërtetë është që janë sfida kryesore që ka qenë, që bartësit e listës si nga PDK-ja, ashtu edhe nga LDK-ja kanë qenë pikërisht nga ky qytet. Por, ja që Mitrovica nuk ka dashur me u kthye mbrapsht, sepse ka ekzistuar një rrezik real që të kthehemi mbrapsht dhe për ne opsioni i kthimit mbrapsht ka qenë i frikshëm.Duke sqaruar shprehjen “kthim mbrapsht”, Muja tha se ajo lidhet me mënyrën e qeverisjeve të mëhershme në nivel vendi dhe ndikimin e tyre në Mitrovicë.
“Kthimin mbrapsht… Mitrovica e ka parë kthimin mbrapsht me subjektet politike të cilat kanë qenë në opozitë, ky ka qenë kthimi mbrapsht. Rreziku i kthimit mbrapsht ka qenë me partitë opozitare që kanë qeverisur gjatë Kosovën, dhe e dimë mirë në Mitrovicë se si kanë qeverisur dhe pasojat që i ka sjellë kjo për Mitrovicën.”
Në fund, Muja tha se mesazhi i votuesve është orientimi drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimit evropian.