Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Ernest Muçi foli sot në konferencë për media para miqësores me Bullgarinë.
Muçi tha të gjithë në kombëtare e kanë dashur që nga fillimi kualifikimin në Evropian, ndërsa për sfidën ndaj Bullgarisë ai tha se nuk e sheh si miqësore, raporton KosovaPress.
Po ashtu, Muçi u shpreh tejet i lumtur që është pjesë e Kombëtares së Shqipërisë.
“Afeksioni i tifozëve dhe minutat e munguara? Normal jam shumë i lumtur që marr atë lloj afeksioni nga tifozët dhe nga njerëzit që më rrethojnë. Kështu që jam shumë i lumtur që jam pjesë e kësaj kombëtareje dhe afër këtyre çunave që më suportojnë edhe mua gjatë gjithë kohë”, tha Muçi.
“Të them të drejtën, përveç komplimenteve kemi folur se si mund të përmirësohem unë si futbollist. Ai më ka ndihmuar që nga hera e parë që jam grumbulluar këtu në Kombëtare. Është një trajner shumë I mirë dhe të gjithëve na ndihmon të bëjmë mirë në klubet tona dhe te Kombëtarja”, tha Muçi.
Për fund, sulmuesi i Legias tregoi edhe mesazhet e shokëve polak, pas fitores me Çekinë.
Miqësorja e Shqipërisë me Bullgarinë do të zhvillohet të martën me fillim nga ora 18:00 në stadiumin “Air Albania”.