Ministria e Shëndetësisë ka ndarë gjysmë milion euro për qytetarët e Komunës së Prishtinës në kuadër të projektit “Vizita në shtëpi për gratë shtatzëna dhe fëmijët”, i cili premton përkrahje të mëtutjeshme nga granti qeveritar për shëndetësinë.
Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia mori pjesë në fillimin e programit “Vizita në shtëpi për gratë shtatzëna dhe fëmijët 0 – 3 vjeç, pjesë e të cilit nga sot do të jetë edhe Komuna e Prishtinës, thuhet në komunikatë për media.
“Ministria e Shëndetësisë e udhëheq këtë program me mbështetje logjistike nga UNICEF-i. Jam i lumtur që nga sot pjesë e projektit “Vizita në shtëpi për gratë shtatzëna dhe fëmijët 0 – 3 vjeç bëhet edhe Komuna e Prishtinës e cila ofron një gamë të gjerë shërbimesh në kujdesin parësor për një numër të madh banorësh. Rëndësia e këtij projekti qëndron edhe në preventivën e sëmundjeve në moshë të hershme”, deklaroi ministri Vitia, i cili i falënderoi përzemërsisht UNICEF-in dhe qeverinë e Luksemburgut për përkrahjen e vazhdueshme në sektorin e shëndetësisë.
Ai theksoi se qeveria përmes komisionit të granteve ka ndarë në total në grantin për shëndetësi në komuna rreth 72 milionë euro, nga i cili grant do të përfitojë edhe Komuna e Prishtinës.
Sipas tij, sado e rënduar që të jetë gjendja në shëndetësi, energjitë duhet të jenë të koncentruara në avancimin e shërbimeve në një nivel tjetër. Për këtë arsye, ai tha se Ministria e Shëndetësisë në kuadër të Planit Strategjik brenda këtij vitit parasheh 41 milionë e 67 mijë euro për avancimin e infrastrukturës në shërbimet spitalore dhe klinike shëndetësore si një prej prioriteteve kryesore dhe të realizmit të vizionit të Qeverisë për shëndetësinë.
Të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama i cili falënderoi të gjithë kontribuuesit duke thënë se ky program është shumë i rëndësishëm për kujdesin parësor, veçanërisht për foshnjat dhe gratë shtatzëna. Ai falënderoi edhe infermierët që janë bartësit kryesorë të këtij projekti.
“Luksemburgu dhe UNICEF mbeten një nga donatorët kyç të shëndetësisë në Kosovë”, thuhet në komunikatë.
Programi i vizitave në shtëpi për kujdes ndaj nënës dhe fëmijës ka filluar program në vitin 2013 dhe realizohet nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me UNICEF-in.