MPJD: Tri familje nga Kosova dhe ekipi i mundjes ishin në zonën e tërmetit
Lexohet për: 2 min.
1a9a1da4-37fe-4a9f-8dfa-3509658ed0f3
1 vit më parë
Linku u kopjua

Derisa numri i viktimave nga tërmeti në Turqi vjen duke u rritur - aktualisht mbi 5 mijë - institucionet e Kosovës konfirmojnë se, tash për tash, në mesin e tyre nuk ka asnjë shtetas të Kosovës.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thonë për Radion Evropa e Lirë se kanë arritur t’i identifikojnë dhe kontaktojnë tri familje nga Kosova, ashtu si dhe një ekip të mundësve kosovarë, të cilët kanë qenë duke qëndruar në zonën e goditur nga tërmeti, mëngjesin e 6 shkurtit.

“Me qytetarët që kanë qenë atje në kohën e tërmetit, ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara është në komunikim dhe e gatshme për t’i ndihmuar për kthim në Kosovë, apo në ndonjë formë tjetër”, thanë nga MPJD-ja, pa dhënë më shumë detaje.

Me gjithë përpjekjet, REL-i nuk arriti të bjerë në kontakt me ndonjë anëtar të këtyre familjeve.

REL-i foli një ditë më herët me sekretarin e Federatës së Mundjes së Kosovës, Genci Fazlia, i cili bashkë me një ekip mundësish ndodheshin në qytetin Kahramanmarash të Turqisë, kur u godit nga tërmeti.

“Të gjitha objektet përreth nesh u shkatërruan, vetëm objekti jonë mbeti në këmbë, ai hoteli ku ishim ne të vendosur. Kemi qenë në rrezik. Rrëzoheshin objektet. Dy ndërtesa nga 20 kate u rrëzuan afër nesh këtu”. “Kemi nxjerrë njerëz nga gërmadhat sa kemi mundur, derisa dikur u lagëm krejt, sepse binte borë dhe shi dhe u desh të largohemi”, tha Fazlia.

Ambasada e Kosovës në Turqi, ndërkaq, hapi dy numra emergjentë për qytetarët e Kosovës, në rast se u duhet ndihmë:

Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara: +90 542 711 80 99

Konsullata e Republikës së Kosovës në Stamboll: +90 531 105 63 91

/REL

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025