Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka bërë të ditur se pas evakuimit të tre shtetasve kosovarë, në Izrael ndodhen edhe rreth 15 shtetas tjerë kosovarë që nuk kanë treguar interesim për t’u larguar. Në njoftim thuhet se evakuimi i tre kosovarëve nga Izraeli, të cilët së bashku me 12 shtetas të Shqipërisë gjenden në Qipro në rrugën drejt Shqipërisë dhe Kosovës, është kryer në bashkëpunim në mes të Ambasadës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë në Izrael. Ndërkohë asnjë shtetas kosovar nuk ka pësuar lëndime apo vështirësi të çdo natyre tjetër.
Ambasada e Kosovës ka vazhduar komunikimin e rregullt me shtetasit tjerë që ndodhen ende në territor dhe sipas kërkesave të tyre iu kanë ofruar ndihmë për largim, duke siguruar aranzhimin e biletave dhe ndihmë logjistike. “Jemi në koordinim të vazhdueshëm me autoritetet izraelite dhe do të ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme konform nevojave dhe zhvillimeve në ditët në vijim. Në Izrael gjenden edhe rreth 15 qytetarë nga Kosova, por që nuk kanë treguar interesimin për t’u larguar nga Izraeli,” thuhet në njoftim. MPJD thotë se linjat e fluturimit kanë filluar të stabilizohen dhe për çdo nevojë shtetasit e Kosovës mund të kontaktojnë në telefon dhe WhatsApp në numrat e kontaktit të Ambasadës së Kosovës në Izrael: +972 58-634- 0450 dhe +972 54-469-9799.