Djali i kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, Marko Millosheviq, është shfaqur në publik pas më shumë se 20 vitesh.
Mediat serbe raportojnw se ai i mori pjesë në zbulimin e monumentit të babait të tij në Moskë në shoqërinë e themeluesit dhe udhëheqësit të klubit të motoçikletave "Ujqërit e natës" Aleksander Zaldostanov.
Me ftesë të tij, Millosheviqi, për të cilin ekziston një urdhër arrest nga Interpoli, mbajti një fjalim të shkurtër, incizimi i të cilit u bë publik.
“Siç shkruhet në këtë tabelë, për fat të keq ne ishim një provë e asaj që ndodhi në Rusi dhe çfarë po ndodh tani në Ukrainë. Kriza jugosllave, luftërat jugosllave janë të njëjta, vetëm se ky është tani një variant i përshpejtuar në Ukrainë. Fatkeqësisht, ne e humbëm betejën, por shpresoj se nuk e humbëm luftën. Në gabimet tona dhe në fatin tonë, rusët morën një mësim dhe ne do të fitojmë! Për fitore”, tha Millosheviqi.
Marko Millosheviq dyshohet në Serbi për pjesëmarrje në krimin e organizuar. Pas përmbysjes së regjimit të të atit më 5 tetor 2000, u hap një mundësi për të hetuar biznesin e të riut Millosheviq.
Megjithatë, ai u largua nga Jugosllavia vetëm dy ditë më vonë. Ai u përpoq të shkonte në Pekin me një pasaportë false, por u deportua në Rusi më 9 tetor.