Ekzekutimi i pagave për zyrtarët publikë dhe skemat sociale do të duhej të bëhej më 30 shtator, porse deri më tani nuk është bërë një gjë e tillë. Lidhur me këtë pati shumë reagime nga opozita, të cilët kritikuan Qeverinë Kurti për keq menaxhim dhe mosllogaridhënie.
Në kuadër të sektorit publik, për shkak të vonesës, pa paga kanë mbetur edhe profesionistët shëndetësorë. Për këtë çështje u pyet ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një prononcim për KosovaPress, për çka tha se nuk e ka idenë për një vonesë të tillë.
Mos ekzekutimi i pagave u bë si shkak i skadimit të mandatit të ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Thesarit, ku pa nënshkrimin e këtij të fundit, nuk mund të bëhet asnjë dalje e parasë publike nga llogaritë e shtetit.
Për këtë çështje, përmes një reagimi në rrjetin social ish-kryeministri Avdullah Hoti e ka fajësuar ministrin e Financave, Hekuran Murati. Sipas deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ministri Murati është sjellë me neglizhencë ndaj detyrave ligjore të tij.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, s’ka dalë akoma me një sqarim lidhur me këtë çështje e as Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë (DMZP), i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme./ Z.Zeneli/