Kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka deklaruar se kuvendi e qeveria po luftojnë veteranët. Sipas tij, të dy këto institucione duhet të reflektojnë, siç tha ai, për gabimin qe e ka bërë ndaj veteranëve.
Molliqaj u shpreh se si pjesëmarrës i kësaj proteste, mbështet kërkesat e veteranëve të luftës.
“Kuvendi dhe qeveria i ka diskriminuar, për bindjen tonë është duke i luftuar. Me qit në opinion publik se a duhet t’i jap veteranit 170 euro apo 250 euro, kjo nuk është diskriminim e as shkelje e të drejtave, kjo është luftë ndaj veteranit. Sepse, kjo qeveri i ka dhënë me qindra miliona euro edhe KEDS-it, ua ka paguar rrymën bankave që bëjnë më shtrenjtë se pagat e veteranit”, ka deklaruar Molliqaj.
Më tej, ai shtoi se kërkesat e veteranëve janë të domosdoshme dhe diskutimi se ata kanë vjedhur janë të padrejta.
“Besoj që qeveria dhe kuvendi kanë hapësirën e vet, sepse ka kaluar ligji në lexim të parë, tash është në lexim të dytë. Do të duhej të kthente në shenjë gabimi që ka bërë ndaj veteranëve dhe respektit për punën që ka bërë”, ka shtuar ai.
Tash e më shumë se dy orë, veteranët e luftës po protestojnë në oborr të kuvendit në kundërshtim të projektligjit për pagën minimale, në të cilin nuk janë përfshirë kjo kategori e luftës.