Moldavia, Rumania e Ukraina nënshkruajnë marrëveshje për luftimin e dezinformatave ruse
Lexohet për: 2 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Moldavia, Rumania dhe Ukraina e kanë nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim të përbashkët për luftimin e dezinformatave ruse.

Marrëveshja e përbashkët u nënshkrua gjatë një takimi trepalësh të ministrave të Jashtëm të tri vendeve në kryeqytetin moldav, Kishinjev, më 5 korrik.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, u tha gazetarëve pas takimit se “arsenali i luftës hibride” të Rusisë nuk po përdoret vetëm kundër Ukrainës, pushtimin e së cilës Moska e nisi më 2022, por edhe kundër Moldavisë.

Takimi mes Kulebas dhe ministrave të Jashtëm të Moldavisë dhe Rumanisë, Mihai Popsoi dhe Luminita Odobescu, përkatësisht, ishte i treti mes tyre prej vitit 2022.

Muajin e kaluar, Departamenti amerikan i Shtetit tha se Kremlini “përdor gënjeshtra dhe manipulime në mënyrë të përsëritur, për të nxjerrë pretekste të rreme për pushtimin e pajustifikueshëm” tw Ukrainws, si dhe “për të bërë përpjekje për të prishur solidaritetin mbarëbotëror me popullin ukrainas”.

Kremlini i mohoi pretendimet se përhap dezinformata dhe akuzoi Perëndimin për përfshirje në “terrorizëm informacioni”.

Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Perëndimi ka ndërmarrë sanksione të ashpra kundër saj, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim.

Muajin e kaluar, Bashkimi Evropian ka nisur edhe negociatat për anëtarësimin e Ukrainës në radhët e veta./REL/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024