Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar se në rast mos anëtarësimi të Kosovës në Këshillin e Evropës përgjegjësi direkte do të bartin liderët institucionalë. Ai ka shkruar në Facebook se tërheqja e kryeministrit Albin Kurti nga zotimi mbi përmbushjen e obligimeve të dala nga Marrëveshja e Brukselit është goditja më e rëndë që mund t'i bëhet Kosovës në planin ndërkombëtar.
"Nëse humbet momentumi i pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e tre udhëheqësve institucionalë. Presidentja, Kryeministri dhe Kryeparlamentari, me garancitë e dhëna përmes një letre të përbashkët, ku zotohen se Kosova do të përmbushë obligimet që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe tërheqja prej fjalës së dhënë, e shkruar e zezë mbi të bardhë, janë jo vetëm humbje, por edhe goditja më e rëndë që mund t'i bëhet Kosovës në planin ndërkombëtar", ka thënë Haradinaj.
Kosova aktualisht nuk është rendin e ditës për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 16 e 17 maj. Ambasadori gjerman Jorn Rohde ka thënë se rendi i ditës mund të ndryshojë, duke mos dhënë më shumë detaje, ndërsa paralajmëroi se Kosova duhet të merr vendim të guximshëm, duke aluduar themelimin e asociacionit.
Kosova muajin e kaluar mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësim në këtë organizatë, duke nxitur besimin në Prishtinë për përmbushjen e këtij synimi dhe zemërimin në Beograd.
Dy ditë më parë pas një takimi me diplomatët e vendeve kryesore perëndimore në Prishtinë ai bëri thirrje që anëtarësimi në Këshillin e Evropës të mos ngatërrohet me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, meqë këto procese janë të ndara. Por, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili është në fund të mandatit, tha se këto procese “janë shumë të lidhura”. Këshilli i Evropës, tha ai, “ka të bëjë me trajtimin e pakicave dhe Kosova ka bërë zotime të qarta për trajtimin e pakicave dhe kjo përfshinë edhe asociacionin”.
Kosova dhe Serbia u morën vesh në vitin 2013 për themelimin e asociacionit, ndërsa në vitin 2015 u pajtuan për parimet e tij. Por, po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se një pjesë e madhe e këtyre parimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Themelimi i tij është pjesë e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve për të cilën palët u pajtuan vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër. Serbia u vu në fushatë kundër Kosovës në Këshillin e Evropës, ndonëse me marrëveshjen e Ohrit zotohet të mos kundërshtojë anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.