Mjeku shpjegon se si u shpëtua jeta e Boves
Giovanni Ghini, udhëheqës i ekipit të mjekëve që trajtoi Edoardo Boven të dielën, ka shpjeguar se si mjekët i shpëtuan jetën mesfushorit, duke e çuar në spital në vetëm 13 minuta.
Bove ndodhet aktualisht në spitalin Careggi në Firence, ku po i nënshtrohet kontrolleve mjekësore pasi u rrëzua gjatë një ndeshje të Serie A midis Fiorentinës dhe Interit të dielën.
“Të gjithë ishin të tronditur dhe nervozë rreth nesh, por ne punuam me qetësi; ne dinim se çfarë të bënim”, tha ai për Repubblica, përcjellë KosovaPress. “Në këto situata, ne nuk duhet të rrëmbehemi nga emocionet. Kanë kaluar vetëm 30 sekonda nga kolapsi i lojtarit deri në mbërritjen tonë. Ne kishim dy ekipe në Franchi, një me një mjek dhe dy shpëtimtarë dhe një tjetër me tre shpëtimtarë," vazhdoi Ghini.
“Kur mbërriti doktori, ai vlerësoi shenjat vitale të lojtarit, gjendjen e vetëdijes, frymëmarrjen dhe rrahjet e zemrës. Ai vendosi menjëherë, së bashku me mjekët e Fiorentinës, se duhej të shkonte menjëherë në spital dhe pas katër minutash, Edoardo ishte tashmë në ambulancë”.
Vetëm 13 minuta pas rënies, Bove ishte tashmë në Careggi, i cili është rreth 6 km larg stadiumit.
“Ne e ringjallëm atë; defibrilatori gjysmëautomatik u aktivizua për të rivendosur rrahjet e duhura të zemrës,” shpjegoi Ghini. “Trajtimi vazhdoi derisa mbërritëm në spital. Kur mbërriti, mjeku shpjegoi se çfarë kishte ndodhur dhe çfarë kishte bërë ekipi i tij”, tha në fund ai.