Vahide Mehmeti tash e 6 muaj nga mjekët në Klinikën e Ortopedisë pranë QKUK-së, po kërkon dokumentin me tri nënshkrime për trajtim jashtë vendit për vajzën e saj 12 vjeçare, Erina Mehmeti e cila ka diagnoza të shumta, por skolioza është ajo që e ka rënduar më së shumti gjendjen e saj shëndetësore. E këto tri nënshkrime Mehmeti ende nuk ka arritur t’i siguroj.
E me qëllim që të përmirësohet gjendja shëndetësore e Erinës ajo duhet t’i nënshtrohet edhe një operimi të radhës për zgjerim të shufrës në anën e konkave të lakesës skolitoike, i cili kushton 6 mijë euro dhe bëhet në Turqi.
Mehmeti thotë se tash e 6 muaj mjekët e kësaj Klinike nuk po ia ofrojnë këtë dokument.
Ajo për KosovaPress tregon se ortopedët në QKUK po kërkojnë raport të detajuar për ndërhyrjen që do ta ketë 12 vjeçare, përfshirë edhe mjetet që do të përdoren.
Mes lotësh nëna Vahide tregon se vajza e saj ka kryer edhe intervenime të tjera që i janë dashur pasi 12 vjeçarja ka telashe me të pamur, dëgjim dhe të folur.
Ajo thotë se Erinës aktualisht ka filluar përsëri t’i lakohet shpina prandaj e ka të nevojshëm edhe një intervenim, pasi dy operimet e kaluara kanë pas sukses.
Vahide Mehmeti u shpreh se kërkesa e saj për këto tri nënshkrime ka shkuar edhe në Drejtorinë e ShSKUK-së, prej ku edhe nga vetë drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Gani Jashanica kishte marr premtimin se letra me tri nënshkrime do t’i dorëzohet.
Por, që ende kjo nënë nuk e ka marrë këtë dokument.
“Kam biseduar me doktor Ganin, jam shku edhe në drejtori jam lajmëruar. Prej drejtorisë e ka thirr doktor Ganin sepse është drejtor i këtyre doktorëve tjerë, tha le të vjen sepse ja kemi bërë dokumentin, kur erdha s’ka kurrfarë dokumenti, veç duke luajtur me mua, tu bo hajgare, hajt se asgjë, ta heqim qafe. Tash është Xhavit Gashi, ai nuk e di, unë kurrfarë problemi nuk e kam me atë, çfarë problemi ka ai me mu apo vajzën time nuk e di, ai nuk po na lëshon dokumentin. Është vajza jote më shumë diagnoza dhe shkurt e shqip me lënë kështu. Jo, unë deri sot që 12 vite kam luftuar me ngrit në këmbë vajzën, dhe shyqyr që u ngrit dhe me ndal nuk e kam ndërmend”, tha ajo.
E thirrja e vetme e kësaj nëne të dëshpëruara nga sistemi shëndetësor në vend është lëshimi i raportit me tri nënshkrime të mjekëve të Klinikës së Ortopedisë për mjekim jashtë vendit.
“Unë veç drejtësi po du. Tri nënshkrimet po më duhen veç me dërgu at letër në ministri, asgjë më shumë.. Gjashtë mijë euro është intervenimi por po kemi harxhime edhe në Turqi, sepse duhet paguar hoteli, ushqimi, udhëtimi, viza e të gjitha”, u shpreh ai.
Se mjekët në Klinikën e Ortopedisë po kërkojnë dokumente shtesë dhe ende nuk ia kanë dhënë këto tri nënshkrime e konfirmon edhe drejtori i kësaj klinike, Gani Jashanica i cili tha se edhe kësaj radhe do t’ia japin këto nënshkrime siç kanë vepruar edhe dy herët e kaluara.
“Fëmija ka qenë jashtë është operuar edhe tani ia japim por po i ngutet po na bëjnë presion palët, po na bëni presion ju, po na bënë presion drejtoria…. doktori që merret me kirurgji spinale ka kërkuar dokumente shtesë po i duhen se çfarë intervenimi ka me krye me çfarë mjete a kemi këtu apo nuk kemi që me shikua ata nuk ia dërgojmë do t’ia bëjmë disi unë besoj nesër duhet me i konsultu edhe tjerët dhe besoj ia japim si e ka marr që dy herë do ta marr edhe këtë herë“, u shpreh Jashanica. /B.Ibishi/