Vendet e NATO-s janë të vetëdijshme për nevojën për të shpenzuar më shumë se dy për qind të prodhimit ekonomik për mbrojtjen, deklaroi sot kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.
Në një konferencë pas samitit Veri-Jug të BE-së sot mbi sigurinë evropiane në Saariselka të Finlandës, Kyriakos Mitsotakis tha se një shifër e re objektive "do të bëhet e qartë" vitin e ardhshëm pas diskutimeve midis anëtarëve të Aleancës.
Donald Trump, i cili merr detyrën më 20 janar, dëshiron që aleatët e NATO-s të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në më shumë se dyfishin e objektivit aktual prej dy për qind të prodhimit të brendshëm bruto.
Ekipi i Trump u ka thënë zyrtarëve evropianë se presidenti i ardhshëm amerikan pret që anëtarët e Aleancës ushtarake të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes në 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto.Pjesëmarrës në samitin e sotëm Veri-Jug në Finlandë, i cili u thirr nga kryeministri finlandez Petteri Orpo, ishin kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kryeministri suedez Ulf Kristersson dhe shefja e diplomacisë evropiane Kaja Kallas.
"Ne të gjithë ramë dakord se Evropa duhet të bëjë më shumë për të mbrojtur veten dhe për të parandaluar luftën. Vitin e ardhshëm, ne do të propozojmë ide në nivel të BE-së për më shumë bashkëpunim në mbrojtje, aftësi më të forta dhe financime", shkroi Kallas në X.
Shefi i ri i NATO-s Mark Rutte tha në fillim të këtij muaji se anëtarët e Aleancës duhet të shpenzojnë "shumë më shumë" se dy për qind.