Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, ka shpallur gjendjen emergjente në këtë komunë pas vërshimeve dhe situatës së krijuar nga reshjet e shiut.
Siç bëhet e ditur në një njoftim të kësaj komune, Hamza ka shpallur gjendjen emergjente pas vlerësimit të gjendjes nga Qendra Operative Emergjente për Menaxhimin dhe Monitorimin e situatës.
Njoftimi i plotë:
Kryetari i Komunës së Mitrovicës z. Bedri Hamza, pas vlerësimit të gjendjes së shkaktuar nga reshjet e shiut dhe koordinimit me drejtorinë përkatëse ka formuar-aktivizuar Qendrën Operative Emergjente për Menaxhimin dhe Monitorimin e situatës së shkaktuar nga reshjet e shiut.
Hapja e këtij takimi është bërë nga kryetari i komunës, z. Bedri Hamza, i cili pasi i ka njoftuar anëtaret me situatën aktuale në Mitrovicë, ka shpallur gjendje emergjente, si pasojë e të reshurave të dendura të shiut.
Në fjalën e tij, kryetari Hamza ka theksuar se si rrjedhojë e reshjeve të pandërprera, është rënduar situata në përgjithësi, dhe në bazë të kompetencave dhe autorizimeve, kam marrë vendim që të shpallim gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë territorin e komunës së Mitrovicës.
Anëtarët e qendrës operative kanë bërë edhe një apel ndaj qytetarëve për kujdes të shtuar në qarkullim, deri në tejkalimin e kësaj gjendje.