Miti i Betejës së Kosovës dhe përpjekja serbe për ta kapitalizuar politikisht
Lexohet për: 7 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Përmes gënjeshtrës dhe miteve për Betejën e Kosovës, Beogradi zyrtar tenton ta mbaj gjallë nervin nacionalist për Kosovën.

Kështu ka shkruar hulumtuesi i lartë në Institutin OCTOPUS, Taulant Elshani, i cili thekson se Beteja e Kosovës u la në harresën historike nga serbët për disa shekuj sepse ajo nuk përbënte asnjë interes, pasi serbët nën pushtimin Osman pranuan vasalitetin e pakusht ndaj sulltanëve, ku princërit serbë paguanin haraç dhe taksa për interes të perandorisë.

Elshani ka dhënë disa nga argumentet se ripërcaktimi artificial i rëndësisë së Betejës së Kosovës, të vitit 1389, kishte për qëllim të fillonte procesin e formësimit të ndërgjegjes kombëtare serbe, që në fakt po bazohej në gënjeshtra të rrezikshme, dhe të përgatiste justifikimin politik për ripushtimin e Kosovës.

“Shtrembërimi i historisë dhe propaganda që e pason atë duhet të jenë në fokusin institucional të Kosovës, ku kërkohet vlerësim adekuat i rreziqeve potenciale që prodhohen nga kjo, si dhe reagim profesional, çmontim i të pavërtetave dhe intencave malinje serbe”, ka shkruar Elshani.

Ai ka komentuar edhe vendimin e peshkopit Teodosije që manifestimi përkujtimor për Betejën e Kosovës, i paraparë me 28 qershor, të mos mbahet në vendin ku ndodhet përmendorja në Gazimestan, por të zhvendoset në Manastirin e Graçanicës, duke thënë se në njoftimin zyrtar si arsye përmendet mungesa e sigurisë, por kumtesa e këtij institucioni religjioz nuk jep asnjë referencë, asnjë dëshmi apo indikacion serioz se ka mungesë të theksuar për pjesëmarrësit e mundshëm në këtë manifestim.

Opinioni i plotë i Taulant Elshani:

Manifestimi i përvitshëm si metodë propagandistike

Në një njoftim publik të Manastirit të Deçanit thuhet se peshkopi Teodosije ka vendosur që manifestimi përkujtimor për Betejën e Kosovës, i paraparë me 28 qershor, nuk do të mbahet në vendin ku ndodhet përmendorja në Gazimestan, ku edhe është mbajtur tradicionalisht, dhe kësaj radhe është zhvendosur në Manastirin e Graçanicës. Njoftimi, siç kuptohet nga përmbajtja, ka nota të forta politike, dhe mbi të gjitha edhe shumë të pavërteta. Në njoftimin zyrtar si arsye përmendet mungesa e sigurisë, por kumtesa e këtij institucioni religjioz nuk jep asnjë referencë, asnjë dëshmi apo indikacion serioz se ka mungesë të theksuar për pjesëmarrësit e mundshëm në këtë manifestim. Më tej aty nënvizohet edhe, siç thotë kumtesa zyrtare, “gjendja e pasigurisë dhe mungesa e lirive dhe të drejtave bazike për serbët”.

Në jo pak raste, manifestimet e përvjetorit të Betejës së Kosovës janë shënuar me provokime të shumta nga vizitorët serbë në Gazimestan, ku nuk kanë munguar shpërfaqja e theksur dhe identifikimi me thirrje naconaliste, sloganet fyese ku Kosova paraqitet si zemra e Serbisë. Në disa raste policia e Kosovës gjatë mbarëvajtes dhe sigurimit të manifestimeve është detyruar t’ju kërkoj pjesëmarrësve që t’i heqin bluzat dhe pankartat me përmbajtje fyese dhe provokuese ndaj Kosovës.

Por çka në të vërtetë përfaqëson data e Betejës së Kosovës për serbët? Beteja e Kosovës u zhvillua me 15 qershor, 1389, në mes ushtrisë osmane nën komandën e Murad Hüdavendigâr, Muradi I, dhe një armate të prirë nga Lazar Hrebeljanović. Lufta ishte e ashpër, dhe mes shumë interpretimeve historike thuhet se serbët pësuan humbje të jashtëzakonshme. Në disa interpretime të tjera, në rastin më të mirë thuhet se ishte një barazim taktik.

Ndryshimi i fakteve historike nga historiografia serbe

Beteja e Kosovës u la në harresën historike nga serbët për disa shekuj sepse ajo nuk përbënte asnjë interes. Serbët nën pushtimin Osman pranuan vasalitetin e pakusht ndaj sulltanëve, ku princërit serbë paguanin haraç dhe taksa për interes të perandorisë.

Në fillim të shekullit të XIX, me shfaqjen e nacionalizmit si një fenomen i ri, i përaqfuar nga elitat intelektuale romantike të kohës, serbët papritur risollën në vemëndjen e publikut “rëndësinë” e Betejës së Kosovës. U rrah fort idea se kjo betejë ishte përcaktuese për fatin e serbëve, duke pretenduar se serbët humbën shtetin pikërisht pas humbjes në Kosovë. Sigurisht që nëse e zhveshim nga stërngarkesa nacionaliste, të pavërtetat e mëdha dhe mitet, del se Beteja e Kosovës nuk e ka pasur rëndësinë strategjike që pretendohet nga historianët serbë.

Akademiku dhe historiani serioz britanik, Noel Malcolm, në librin e tij Kosovo: A Short History, dekonstrukton historiografinë serbe duke hedhur poshtë tezat se Beteja e Kosovës u hapi udhë osmanëve në Kosovë. Malcolm argumenton se osmanët i kishin mposhtur serbët qysh në betejën e Maricës, The Battle of Maritsa ose Battle of Chernomen, të zhvilluar më 26 shtator, 1371. Beteja u zhvillua në lumin Marica (Maritsa), në fshatin Chernomen, mes forcave osmane të komanduara nga Lala Şahin Pasha dhe forcave serbe të komanduara nga mbreti Vukašin Mrnjavčević dhe vëllau i tij, Jovan Uglješa. Ky sulm i befasishëm dhe i rrufeshëm osman i hapi rrugë shpërbërjes së zotërimeve serbe, të themeluara nga Stefan Dušan. Por siç argumentojnë bindshëm edhe publicistë si Tim Judah, dhe të tjerë, qysh pas vdekjes së Dušan-it, princërit serbë u zhytën në konflikt dhe principatat u shndërruan në zotërime ndërlufuese pa ambicie të tjera shtet-formuese shumë vite para ardhjes së osmanëve.

Ripërcaktimi artificial i rëndësisë së Betejës së Kosovës të vitit 1389 kishte për qëllim të fillonte procesin e formësimit të ndërgjegjes kombëtare serbe, që nw fakt po bazohej nw gënjeshtra të rrezikshme, dhe të përgatiste justifikimin politik për ripushtimin e Kosovës. Në historiografinë serbe volumi i teksteve historike, këngëve nacionaliste si dhe ligjërimit publik lidhur me ngjarjen e vitit 1389 kishte arritur kulmin në fillim të shek XIX-të, me angazhimin masiv të elitave kulturore serbe të kohës.

Pseudokontekstualizimi modern

Për të ushqyer nacionalizmin serb, dhe për të shtyrë përpara axhendën pseudopatriotike, udhëheqësit serbë iu rikthyen nacionalizmit primitiv, dhe riaktualizuan Betejën e Kosovës, sipas tyre, si një nyje kritike në historinë serbe edhe në fund të viteve 80-ta. Fjalimi i Miloshevicit, më 28 qershor, 1989, në rastin e shënimit të 600 vjetrit të Betejës së Kosovës, ishtë pika e kthesës në këtë vorbull dhe qorrsokak të nacionalizmit primitiv, që do të sherbente si thirrje dhe nxitje për luftërat që do të pasonin në Jugosllavinë që po shkatërrohej.

Përmes gënjeshtrës dhe miteve për Betejën e Kosovës, Beogradi zyrtar tenton ta mbaj gjallë nervin nacionalist për Kosovën. Në Gazimestan ende mund të takosh të rinj serbë që shkojnë dhe këndojnë këngë ku glorifikohen kriminelë tw luftës, apo figura mitike mesjetare. Kjo tregon për përmasat e problemit, se sa e mbërthyer është shoqëria serbe nga nga nacionalizmi primitive që spo kalon ende.

Shtrembërimi i historisë dhe propaganda që e pason atë duhet të jenë në fokusin institucional të Kosovës, ku kërkohet vlerësim adekuat i rreziqeve potenciale që prodhohen nga kjo, si dhe reagim profesional, çmontim i të pavërtetave dhe intencave malinje serbe. Si në shumicën e propagandës serbe që bazohet në mite e të pavërteta, edhe kësaj radhe mjafton të thuhet dhe të tregohet drejtë ngjarja historike.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024