Miratohet Udhëzimi për Standardizimin e QR Kodit që do të përdoret për pagesat në Kosovë
Lajme
Lexohet për: 4 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore të Kosovës ka miratuar Udhëzimin për Standardizimin e QR Kodit, i cili do të përdoret për transaksionet e pagesave në Republikën e Kosovës.

Sipas BQK-së qëllimi i këtij udhëzimi është të përcaktojë rregullat dhe kërkesat teknike për zhvillimin dhe funksionimin e strukturës së QR kodit në Republikën e Kosovës, që do të përdoret për pagesat në shitjet me pakicë dhe për pagesat e faturave. Ai synon të promovojë përdorimin më të gjerë të pajisjeve digjitale dhe telefonave të mençur për kryerjen e pagesave, duke siguruar ndërveprim të qëndrueshëm dhe të sigurt midis ofruesve të shërbimeve dhe konsumatorëve.

“Adoptimi i këtij standardi është pjesë e aktiviteteve dhe veprimeve të ndërmarra në fushën e pagesave, në kuadër të strategjisë së BQK-së për ndërtimin e një tregu modern dhe gjithëpërfshirës për pagesat me vlerë të vogël. Kjo përfshin edhe zhvillimin e kornizës ligjore dhe rregullative si dhe modernizimin e infrastrukturës, me qëllim sigurimin e një sistemi të sigurt, efikas dhe konkurrues për pagesat në vend”, thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se BQK ka adoptuar standardin e përcaktuar nga Këshilli Evropian për Pagesa (EPC), i cili përfshin standardin e QR kodit që përdoret në BE për transferet e pagesave të iniciuara nga telefonat e mençur dhe për sistemet e pagesave të shpejta. Ky standard pritet të përdoret gjithashtu nga vendet e rajonit në kuadër të projektit të BE-së për Modernizimin e Sistemeve të Pagesave të Vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Përdorimi i këtij standardi do të sjellë disa përparësi dhe përfitime, si: Për qytetarët: metodë e shpejtë dhe e përshtatshme për kryerjen e pagesave, duke skanuar QR kodet me pajisje digjitale. Kjo redukton gabimet në detajet e pagesës dhe përshpejton procesin, duke ndihmuar gjithashtu në menaxhimin më të mirë të financave personale.

Për tregtarët dhe ofruesit e shërbimeve: ju mundëson ofrimin për klientët e tyre, një mënyrë të thjeshtë për të kryer pagesa përmes QR kodit standard, pavarësisht nga ofruesi i shërbimeve të pagesave. Kjo mundëson përpunimin automatik dhe të sigurt të pagesave, duke thjeshtuar gjithashtu proceset për barazimin e llogarive dhe çështjet e pajtueshmërisë.

Për ofruesit e shërbimeve të pagesave: bankat dhe ofruesit tjerë të pagesave kanë mundësi të integrojnë lehtësisht këtë standard në aplikacionet e tyre, duke reduktuar pengesat teknike. Standardizimi lehtëson gjithashtu identifikimin e transaksioneve të dyshimta.

Për institucionet publike: digjitalizimi i shërbimeve dhe qartësia në lidhje me pagesat e pranuara do të jenë përfitime të rëndësishme. Pagesat mund të kategorizohen sipas qëllimit të tyre (taksa, tarifa, gjoba, etj.), duke thjeshtuar procedurat për realizimin e pagesave në distancë përmes platformave si e-Kosova apo përmes telefonave mobil në pikat e shitjes.

Me këtë standard, Banka Qendrore synon që në Republikën e Kosovës, QR kodet të përdoren në mënyrë efikase për qëllime pagesash në sisteme dhe platforma të ndryshme, duke reduktuar fragmentimin e tyre. Për më tepër, adoptimi i standardit të QR kodit të Këshillit Evropian për Pagesa (EPC) synon të lehtësojë procesimin e pagesave jo vetëm brenda vendit, por edhe në nivel rajonal dhe në zonën SEPA, në përputhje me objektivat strategjike të BQK-së. Zbatimi i këtij standardi tani varet nga zhvillimet teknike dhe infrastruktura e nevojshme që ofruesit e shërbimeve të pagesave të licencuara në Kosovë do të vendosin në funksion.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024