Deputetët e Kuvendi të Kosovës kanë miratuar në parim ndryshimet në Ligjin për ndarjet buxhetore, përkatësisht koeficientin në vlerë prej 105 eurosh për pagat në sektorin publik.
Miratimi në parim i këtij koeficienti u bë me 63 vota për, asnjë kundër e asnjë abstenim.
Deputeti Armend Muja, ka lexuar propozimin e LVV-së, për mbajtjen e seancës sonte prej orës 20:00.
“Pas miratimit në lexim të parë, amendamentet në Projektligjin për ndryshimin e ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2023 mund t’i adresohen komisionit funksional deri në orën 19:00 të datës 09.02.2023. Komisionet parlamentare deri në orën 19:30 të kësaj date duhet ta shqyrtojnë Projektligjin dhe raportet me rekomandime dhe ia paraqesin Komisionit funksional. Shqyrtimi i dytë i këtij projektligji të bëhet në seancë të re plenare të datës 09.02.2023 duke filluar nga ora 20:00”, tha Muja.