Ministrja Nagavci tregon sukseset dhe sfidat e MASHTI-t gjatë vitit 2022
Lexohet për: 6 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, sot në konferencën e fundvitit, deklaroi se fokusi i tyre ka qenë në të gjitha nivelet e edukimit.

Ajo përmendi disa nga punët e suksesshme të kryera gjatë vitit 2022, duke filluar nga edukimi i hershëm.

“Mendoj që kemi bërë një punë të mirë me finalizimin e ligjit për edukimin e hershëm, i cili ka kaluar në lexim të parë edhe në Kuvend e i cili është një dokument tepër i rëndësishëm për zhvillimin në këtë fazë të vërtetuar tashmë që është e rëndësishme për zhvillimin e secilit individ edhe të shoqërisë në përgjithësi. Pas ligjit të ri, edukimi në moshën 5 deri në 6 vjeç gjegjësisht deri në klasën parafillore do të jetë obligativ nga shtatori i vitit 2023. Për të gjithë fëmijët tanë, duke përfshirë kështu, duke rritur domethënë në 100% në këtë moshë në edukimin parafillor.”, tha ajo.

Nagavci tha se janë paraparë edhe risi tjera të rëndësishme në projektligj, me çka tha se synojnë që të rrisin përfshirjen e fëmijëve nga mosha e hershme e jo vetëm të klasave parafillore.

Ministrja e MASHTI-t u shpreh se kanë miratuar edhe udhëzuesin për ushqyeshmërinë e shëndetshme në fëmijëri të hershme. Ajo potencoi se gjatë këtij viti është rishikimi i udhëzimit administrativ për përfshirjen e fëmijëve në institucionet edukativo-arsimore.

“Vëmendje të veçantë sigurisht i se i kemi kushtuar edhe infrastrukturës fizike të nevojshme për rritjen e përfshirjes së fëmijëve në edukimin e hershëm. Këtu do të them që përveç që kemi pasur rezultate në këtë drejtim, sigurisht që është një nga pjesët apo punët më sfidues, jo vetëm deri më tani, por edhe në të ardhmen, sepse është tepër e rëndësishme që investimet që i bëjnë, të mundëson vërtet përfshirjen, rritjen e përfshirjes së fëmijëve në edukimin e hershëm, por po ashtu të mirren për bazë edhe trendët e lëvizjeve, të migrimeve të popullsisë dhe të mos investohet në objekte të mëdha siç ka ndodh deri më tani, ku shpeshherë kanë mbet edhe pa fëmijë, qofshin këto shkolla, kryesisht.”, tha ajo, duke shtuar se në këtë drejtim i kanë kushtuar dhe do të jetë në fokus të tyre edhe në vitin e ardhshëm, ofrimi i mundësive për edukimin e hershëm edhe fëmijëve në zonat rurale.

Ministrja u shpreh se i kanë kushtuar vëmendje politikave të reja në arsimin parauniversitar. Ajo tha se për herë të parë është ndarë buxheti prej 1.7 milionë euro për mësimdhënësit që kanë qenë në gjendje jo të mirë shëndetësore.

Nagavci potencoi se gjatë vitit 2022 në arsimin parauniversitar janë punësuar 100 asistentë dhe se për vitin 2023 është ndarë buxheti edhe për punësimin e 300 asistentve të tjerë.

Sa i përket infrastrukturës ligjore në arsimin parauniversitar, si rezultat, Nagavci përmendi miratimin e ligjit për tekstet shkollore, i cili u votua dje në Qeveri.

Si rezulatat të rëndësishëm, Nagavci përmendi edhe Abetaren e përbashkët Kosovë-Shqipëri, e cila nga shtatori i këtij viti është përdorur nga të dyja vendet. Si sukses të MASHTI-t, ministrja përmendi fillimin e pilotimit të arsimit dual.

“E shfrytëzojë rastin që të falënderojë edhe komisionin edhe të gjthë të tjerët për punën dhe përkushtimin që kanë pasur për të realizuar suksesshëm këtë projekt, i cili ka qenë një ide e kahmotshme. I kemi kushtuar kujdes edhe përmirësimit të insfrastrukturës fizike në shkolla. Si Ministri e Arsimit përtej ndërtimit të shkollave të reja, gjithsej 11 shkolla fillore dhe të mesme të ulta që janë finalizuar gjatë vitit 2022, sallave të edukatës fizike, është investuar edhe në invenatin për shkolla, në kabinete e laboratore dhe në pajisje të sallave të edukatës fizike në mënyrë që të krijohen kushtet më të mira për punë në shkollat tona. Një rezultat tepër i rëndësishëm besoj është edhe fillimi i pilotimit të arsimit dual. Për herë të parë nga viti 2022 kemi filluar me pilotimin e arsimit dual me katër profile.”, vijoi tutje ajo.

Nagavci ceku se në kudër të sigurimit të cilësisë në shkolla profesionale, janë certifikuar 22 kordinatorë për sigurimin e cilësisë. Ministrja tha se punë jashtëzakonisht e madhe gjatë vitit të kaluar ka qenë finalizimi i strategjisë së arsimit për vitit 2022-2026, një punë ku janë angazhuar rreth 150 spacialistë të profileve të ndryshme.

Ajo tregoi se janë planifikuar 6 milionë e gjysmë euro për digjitalizimin e shkollave.

“Ne veçse kemi filluar që të fillojmë planifikimin me fokus në këtë vit të digjitalizimi. Janë ndarë te komunat udhëzuesit, janë planifiku 6 milionë e gjysmë euro për vitin e ardhshëm për digjitalizimin e shkollave tona dhe trajtimi i kërkesave që vijnë nga komunat do të bëhet në tre mujorin e parë të vitit të ardhshëm dhe besoj fillimi i pasjisjes së shkollave me pajisjet e nevojshme, që do të shkojë paralelisht edhe me aktivitetet e tjera, si zhvillimi i kompetencave të mësimdhënësve dhe akterëve të tjerë  në mënyrë që pajisjet të shfrytëzohen në mënyrën sa më efikase për të përmirësuar edhe mësimdhënien edhe mësimnxënien e nxënësve.”, u shpreh ajo.

Sa i përket arsimit të lartë, ajo theksoi se dje është finalizuar dhe votuar projektligji për arsimin e lartë, me ç’rast tha se ai i sjell disa risi.

Ministrja e Arsimit tha se për vitin 2023 buxheti do të jetë për 9 milionë e 712 mijë euro më shumë sesa në vitin 2022.

Ajo përmendi edhe ndarjen e bursave për studentët e dalluar në të gjitha nivelet e studimeve. Ajo tregoi se janë ndarë 3978 bursa për studentët për studime brenda dhe jashtë vendit.

Ndër të tjera, ministrja Arbërie Nagavci si sfidë, me të cilën janë ballafaquar gjatë këtij viti përmendi verifikim e diplomave të institucioneve të arsimit të lartë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024