“E kam shijuar kuzhinën shqiptare dhe do ta rekomandoja Shqipërinë, një vend për t’u vizituar, ku fermerët e vegjël kanë padyshim një rol të rëndësishëm”, ishin fjalët e ministrit Federal të Gjermanisë për Bujqësinë dhe Ushqimin, Cem Özdemir në panairin “Slow Food” në Stuttgart, ku u prezantuan 45 produkte tipike shqiptare.
Në këtë event të rëndësishëm, me ftesë të ministrit gjerman Özdemir, mori pjesë edhe ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë, Frida Krifca.“Ju përfaqësoni Shqipërinë dhe mbështesni prodhimet autoktone shqiptare si faktor të rëndësishëm në zhvillimin rural”, tha Ozdemir.
Në takimin që u mbajt në stendën shqiptare, ministrja Krifca solli në vëmendje vizitën e ministrit gjerman Ozdemir, në Tiranë, në nëntor të vitit të kaluar, që siç tha ajo, “ishte një vizitë historike sepse ishte hera e parë që një ministër gjerman i Bujqësisë vizitonte vendin tonë”, shkruan Atsh
Në Panairin e Stuttgartit morën pjesë mbi 700 ekspozues, në më shumë se 20.000 metra katrorë, ku paraqitën produkte të grurit, mishit, peshkut, frutave, perimeve, bimëve aromatike dhe mjekësore dhe sigurisht ëmbëlsirat. Në stendën e Shqipërisë u prezantuan 11 prodhues anëtarë të lëvizjes Slow Food.
“Sipërmarrjet agroturistike në vend po zhvillojnë traditën e ‘ushqimit të ngadaltë’ shqiptar. Ata e bëjnë këtë duke promovuar ushqim të pastër dhe të drejtë dhe biodiversitet. Rilidhja e prodhuesve të ushqimit me ata që konsumojnë ushqimin është një element tjetër i rëndësishëm i lëvizjes së “ushqimit të ngadaltë”. Është një nocion i fuqishëm që mund të ndryshojë perspektivën se si duhet të prodhojmë dhe konsumojmë ushqim, u shpreh ministrja Krifca.