Më shumë se 6 milionë tonë grurë pritet të korren në vitin 2024, tha të martën ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit i Bullgarisë Georgi Tahov. Ai filloi fushatën e korrjes në kuadër të iniciativës Buka e Paqes në fshatin Zlatitrap, rajoni i Plovdivit, tha Ministria e tij në një komunikatë për media.
Tahov saktësoi se sipas të dhënave paraprake, prodhimi i vlerësuar do të jetë ndërmjet 6,1 - 6,3 milionë tonë grurë dhe mbi 800 mijë tonë elbi. Sipërfaqet që pritet të korren këtë vit me grurë janë afro 1.1 milionë hektarë dhe ato me elb rreth 0.16 milionë hektarë, shtoi ministri i Bujqësisë.
Sipas fjalëve të Tahovit, Bullgaria vazhdon të jetë një faktor i rëndësishëm në tregun ndërkombëtar të drithërave ushqimore, duke eksportuar grurë në mbi 30 vende. Lidhur me kuotat për importin e drithit nga Ukraina, ai shprehu shpresën se ato do të vazhdojnë. "Shpresoj se do të marrim përgjigjen për këtë pyetje në Këshillin e ardhshëm të Bujqësisë në Bruksel," tha Tahov./BTA/