Ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së do të takohen më 24 qershor në Luksemburg, ku në agjendën e takimit është edhe ai me ministrat e Jashtëm nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Pikë e parë e takimit, i cili fillon nga ora 08:30 dhe kryesohet nga shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell, do të jetë debati mbi agresionin rus kundër Ukrainës, pas një shkëmbimi jozyrtar të pikëpamjeve me ministrin e Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, nëpërmjet video-konferencës.
Takimi do të vazhdojë me një shkëmbim mendimesh për Ballkanin Perëndimor, me pjesëmarrjen e ministrave të Jashtëm të Kosovës, Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë.
Ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së do të shkëmbejnë edhe pikëpamjet mbi Gjeorgjinë dhe zhvillimet e fundit në këtë vend.
Në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në vitin 2003 në Selanik, BE ripohoi se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda BE. Në qershor 2022, liderët e BE-së shprehën angazhimin e qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit në BE të Ballkanit Perëndimor dhe bënë thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit.