Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, është takuar me presidenten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, e cila ka mbërritur në vizitën e saj të parë zyrtare në Kroaci, ku temë kryesore e takimit ishte perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Procesi i Bërdo-Brionit.
Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar tha se do të përpiqet të ruajë Procesin e Bërdo-Brionit me qëllim të forcimit të dialogut në rajon me ndërmjetësimin e Sllovenisë dhe Kroacisë, të cilat kanë arritur më së shumti në rajon.
Ajo paralajmëroi se takimi i radhës i Bërdo-Brionit duhet të mbahet në fund të këtij viti në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se temat e diskutimit duhet të jenë më pak ideologjike dhe më shumë të dedikuara për të rinjtë në rajon që emigrojnë në masë të madhe nga vendet e rajonit, paralajmëroi ajo.
“Synimet në lidhje me këtë iniciativë janë të njëjta, që është integrimi dhe mirëqenia e vendeve të kësaj zone, sido që ta quajmë, Ballkani Perëndimor, ish-Jugosllavia”, tha Milanoviq.
Ai theksoi se nisma Bërdo-Brioni duhet të diskutohet edhe me anëtarët e rinj të Kryesisë së BeH-së, duke vlerësuar se Maqedonia e Veriut është vend i qëlluar për takimin e ardhshëm. Ai shprehu shpresën se ky takim nuk do të përfundojë si dy të mëparshmet, pa një deklaratë të përbashkët.
Presidenti kroat ka komentuar deklaratën e tij për Kosovën, për të cilën tha se është rrëmbyer nga Serbia dhe e ankesuar. Ai lavdëroi presidentin serb Aleksandar Vuçiq që nuk reagoi menjëherë, si tabloidet e shumta serbe, por ka paralajmëruar se do ta dëgjojë me vëmendje deklaratën e tij.
Presidentja sllovene tha se qëndrimi i Sllovenisë për Kosovën është i njohur dhe se e vetmja rrugë për vendet nga ky rajon është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. “E ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është një proces evropian që ende nuk ka vdekur”, tha ajo.
“Situata në Ukrainë është fillimi i fundit të një romance të dukshme serbo-ruse, në të cilën Serbia do të kuptojë se është një dashnore e mashtruar. Realiteti është se Rusia po provon diçka me Ukrainën dhe se shembulli i Kosovës del si gjemb në sy. Rusia do të duhet ta njohë Kosovën kurdoherë ose të pretendojë se e njeh atë në mënyrë që të legalizojë atë që po bën në Ukrainë. Ata (Serbia) duhet të kuptojnë se po shqetësojnë Rusinë dhe se aty nuk ka dashuri. Serbia do të duhet të njohë Kosovën në një farë mënyre, dhe autoritetet shqiptare do të duhet t’i japin njëfarë statusi asociacionit të komunave serbe në veri të Kosovës”, ka përfunduar Milanoviq./ATSh
https://kosovapress.com/deputetja-shqiptare-ne-kroaci-i-reagon-milanoviqit-shtetesia-e-kosoves-u-be-sipas-te-njejtit-model-si-kroacia/