Milani kërkon praninë e mediave të enjten, ja për çka bëhet fjalë
Zlatan Ibrahimovic do të mbajë konferencën e tij të parë për shtyp të enjten në mëngjes, në të cilën duhet të prezantojë edhe trajnerin e ri Paulo Fonseca.
Ish-sulmuesi suedez kishte dy periudha në “San Siro” si lojtar, dhe pasi kishte varur këpucët vendosi të bëhej një këshilltar special i shefit të RedBird, Gerry Cardinale në dhjetor të vitit 2023, raporton KosovaPress.
Roli i tij i saktë brenda hierarkisë së klubit nuk është sqaruar kurrë, por fakti që ai ka caktuar konferencën e tij të parë për shtyp sugjeron se ai po merr një rol më të fortë në diktimin e strategjisë për të ardhmen.
Gazetarëve u është thënë që të paraqiten në konferencën për shtyp në orën 11:45 të mëngjesit të enjten, në të cilën Milani pritet të njoftojë se trajneri i ri Fonseca ka nënshkruar kontratën e tij.
Drejtorët Giorgio Furlani dhe Geoffrey Moncada nuk ka të ngjarë të jenë të pranishëm, kështu që kjo e vë më shumë fokusin te Ibrahimovic si fytyra e klubit.
42-vjeçari bëri 163 paraqitje në fanellën e kuqezinjve, duke shënuar 93 gola dhe duke dhënë 34 asistime. Ai fitoi dy tituj të Serie A me klubin në 2010-11 dhe 2021-22, si dhe Superkupën e Italisë.