Më shumë se 60,000 njerëz janë mbledhur për të marrë pjesë në meshën funerale të Papa Benediktit të XVI në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Mesha e drejtuar nga Papa Françesku ka filluar në 09:30 me orën lokale.
Papa Françesku do të recitojë "Lavdërim dhe lamtumirë përfundimtare", duke i kërkuar Zotit "të ngushëllojë Kishën".
Kjo do të thuhet në latinisht dhe një kor do të këndojë gjithashtu latinisht: "Engjëjt t'ju çojnë në parajsë; erdhën martirët të ju mirëpresin dhe t'ju çojnë në qytetin e shenjtë, në Jerusalemin e ri dhe të përjetshëm", shkruan BBC, përcjell KosovaPress
Siç raportohet, do të thuhet një lutje që përfshin peticione drejtuar Zotit për të ndjerin Benedikt si dhe Papa Françeskun.
Papa Benedikti i XVI ka ndërruar jetë të shtunën (31 dhjetor). Ai ka qenë njëri ndër teologët më të njohur në botë. Ai e ka udhëhequr kishën katolike të Romës nga viti 2005 e deri më 2013, kur ka dhënë dorëheqje për shkak të problemeve shëndetësore.