Migrantët, dy padi në Kushtetuese kundër marrëveshjes Rama-Meloni
Lexohet për: 4 min.
gjykata
1 vit më parë
Linku u kopjua

Në Shqipëri, Partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha si dhe deputetë që janë pjesë e grupimeve të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Gazmend Bardhi, njoftuan sot dorëzimin në Gjykatën Kushtetuese të dy padive të veçanta kundër marrëveshjes së firmosur muajin e kaluar në Romë, mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni.

Të dyja palët kanë kërkuar pezullimin e procedurave për ratifikimin në parlament të kësaj marrëveshjeje, dhe deklarimin e saj si të papajtueshme me Kushtetutën e vendit

Marrëveshja e 6 nëntorit mes Shqipërisë dhe Italisë parashikon ngritjen e dy qendrave për pritjen e migrantëve të cilët nisen nga brigjet e Afrikës Veriore dhe kapen në det të hapur, nga mjetet lundrues italiane.

Në qendrën e parashikuar në portin e Shëngjinit do të duhet të bëhet regjistrimi i tyre, ndërsa në atë që pritet të ngrihet në Gjadër, me kapacitet maksimal prej 3 mijë vendesh, ata do të qëndrojnë ndërsa autoritetet italiane shqyrtojnë kërkesat e tyre. Një procedurë e parashikuar të mos zgjasë më shumë se një muaj.

Marrëveshja provokoi debate të shumta politike, me opozitën e të dy vendeve që e kundërshtuan atë duke ngritur pikëpyetje. Në Shqipëri, siç dhe kishin paralajmëruar, përfaqësuesit e opozitës iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, në duart e së cilës ka tanimë dy padi, me të njëjtën kërkesë.

Si Partia Demokratike e Lulzim Bashës, po ashtu dhe deputetët të cilët janë rreshtuar krah ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Gazmend Bardhi, kërkojnë që marrëveshje të shpallet në shkelje të Kushtetutës.

“Kërkojmë, deklarimin si të papajtueshme me nenet 3, 4 dhe 7 të Kushtetutës dhe Ligjit Nr. 43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të marrëveshjes së nënshkruar nga Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë”, shpjegoi nënkryetari i PD-së, Kreshnik Çollaku.

Po ashtu të dyja palët kërkojnë që të mos vijohet me ratifikimin e dokumentit në parlament. “Kemi kërkuar dhe pezullimin e procedurave për ratifikimin e Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi në dalje nga Gjykata Kushtetuese, Lindita Metalia, një nga nënshkruesit e padisë së dorëzuar nga mbi 28 deputetë.

Aktualisht, marrëveshja ka hyrë në procedurat e diskutimit në komisionet parlamentare, ndërsa votimi i saj, është parashikuar më datë 22 dhjetor. Hapësira kohore duket e shkurtër, që Gjykata Kushtetuese të mund të ndërhyjë për të bllokuar procesin parlamentar.

Migrantët, Italia miraton projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Shqipërinë - KosovaPress

Të dyja paditë flasin për shkelje të shumta, sipas opozitës. Marrëveshja vlerësohet të ketë elementë të tillë që shkojnë përtej një dokumenti mes dy qeverive, e për pasojë do të duhej të ishte kërkuar autorizim nga presidenti i Republikës.

Territori ku do të duhet të ngrihen qendrat, do të njihet si nën juridiksionin italian, Një gjë e tillë shihet si cenim i sovranitetit dhe integritetit territorial.

Po ashtu, në paditë drejtuar gjykatës, sillen dhe argumente të tjerë, që nga cenimi i të drejtave për të huajt, i të drejtës për mbrojtje ndërkombëtare, apo dhe momente të tjera që konsiderohen si shkelje dhe të konventave ndërkombëtare ku Shqipëria bën pjesë.

Marrëveshja shihet si një përpjekje e qeverisë italiane për të penguar largimet në rritje të emigrantëve nga Afrika dhe për të lehtësuar trysninë mbi qendrat e pritjes në territorin e saj.

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar thjesht si një qasje strategjike ndaj një partneri strategjik, siç është Italia, duke pretenduar se e gjithë kjo zhurmë bëhet, sipas tij, për faktin se për herë të parë një marrëveshje e tillë nënshkruhet me një vend që nuk është anëtar i BE-së.

Dokumenti nuk ka hasur vetëm në kundërshti politike, por dhe organizma të shumtë që merren me të drejtat e njeriut apo të emigrantëve kanë ngritur një seri shqetësimesh. /ZeriiAmerikes

Tajani: Vetëm emigrantët e shpëtuar në det do të dërgohen në qendrat në Shqipëri - KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024