Bashkimi Evropian duhet të pranojë anëtarë të rinj nga krahu i tij lindor dhe Ballkani Perëndimor, ndryshe do të përballet me një “Perde Hekuri”. Kështu ka deklaruar presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili ka folur për ENW teksa blloku feston 20 vjet që nga zgjerimi i madh i vitit 2004, kur 10 vendeve iu garantua anëtarësimi.
“Zgjerimi është jetik për të ardhmen e BE-së sepse pa zgjerim rrezikojmë një “Perde të re Hekuri” dhe kjo do të ishte jashtëzakonisht e rrezikshme, sidomos nëse kemi një fqinj ku mungojnë prosperiteti dhe zhvillimi ekonomik. Këto janë interesa të përbashkëta të vendeve kandidate dhe BE duhet të bëjë progres në përshpejtimin e procesit. Jam besimplotë sepse e ndjej, se liderët evropianë, ose shumica e tyre, janë të bindur se kjo është e rëndësishme për të ardhmen”, deklaroi Charles Michel.Hungaria ka kërcënuar tashmë se do të përdorë fuqinë e vetos për të penguar anëtarësimin e Ukrainës, por Michel është besimplotë se kjo nuk do ta ndalë bllokun në shqyrtimin e kandidaturave.
“Për shembull, ne kemi përdorur abstenimin, gjë që i jep mundësinë një vendi që pavarësisht rezervave që mund të ketë ndaj një vendimi, ta bëjë publik opinionin e tij, por pa bllokuar shumicën dërrmuese të shteteve anëtare, që do të donin të bënin progres në fusha të caktuara”, tha Michel.