Turqia është në zi kombëtare pas goditjes nga tërmeti i fuqishëm si pasojë e së cilit humben jetën mijëra persona, ndërsa ende po vazhdojnë kërkimet për të gjetur njerëz nën rrënojat e ndërtesave të shembura. Shkollat janë të mbyllura, institucionet, organizatat, si dhe njerëz vullnetarë janë mobilizuar për të ndihmuar të mbijetuarit në zonat e goditura.
Teuta Tabaku, mësuese e gjuhës shqipe në Turqi tash e 30 vjet, thotë se ky është tërmeti më i fuqishëm që ka goditur Turqinë në 55 vjetët e fundit.
“Ne si shkollë nga studentët tanë kemi tre persona që kanë shkuar vullnetarisht për të ndihmuar pas dëmeve që ka shkaktuar ky tërmeti i fuqishëm që kapi Turqinë dhe Sirinë, por Turqia në këto dhjetë qytete me të vërtetë është në gjendje shumë të rëndë. Edhe ne që nuk jetojmë në ato qytete jemi shumë të prekur nga ana psikologjike, morale, mundohemi që të organizohemi sa më mirë me mini-bashkitë që kemi në qytetet tona për të ndihmuar sa më shumë dhe sa më shpejtë që ndihmat të shkojnë në kohë dhe të bëjnë punë për njerëzit që janë të dëmtuar, sepse kushtet atmosferike, sidomos natën temperaturat arrin diku deri -10 gradë”, thotë Tabaku.
Mësuese Teuta tregon se zonat e prekura nga tërmeti nuk janë të banuara me shumë shqiptarë.
Teuta Tabaku e cila e ka përjetuar edhe tërmetin e vitit 1999 në Turqi, thotë se ky i fundit është aq më i rëndë sa nuk mund të krahasohet me atë të dy dekadave më parë.
Ajo thotë se pas mbylljes së shkollave kanë vendosur që të komunikojnë me nxënësit qoftë edhe për një ose dy orë në ditë, në mënyrë që të lehtësojnë anën e tyre psikologjike.
Hapja e shkollave thotë se pritet të bëhet nga data 13 apo 15 e këtij muaji, megjithatë për këtë mbesin ende në pritje të konfirmimit të institucioneve përkatëse.
“Për hapjen e shkollave mendohet, sipas drejtorive arsimore te qytetit, dhe ministrisë së arsimit, nga data 13 deri 15, deri tani nuk kanë thënë diçka tjetër. Po presim, jemi gjithmonë në pritje të rregullave apo të masave të reja që do të marrin drejtoritë përcaktore”, thotë ajo.
Si pasojë e këtij tërmeti deri tani kanë humbur jetën më shumë se 21 mijë persona në Turqi dhe Siri.