Në shkollat fillore në Komunën e Gjakovës edhe këtë të shtunë po mbahet kompensimi i orëve të humbura të mësimit si pasojë e grevës në arsim. Megjithatë, kjo nuk po ndodhë nëpër fshatra të kësaj komune, pasi nxënësit nuk shkuan në shkollë.
Krahasuar me të shtunën e kaluar, sot është rritur për dhjetë për qind pjesëmarrja e nxënësve në shkolla.
Baçi për KosovaPress, tha se në shkollat e fshatrave nuk po mbahet mësim, për shkak se nuk janë dalë nxënësit.
Baçi: Në fshatra nuk po mbahet mësimi
"Në krahasim me të shtunën e kaluar në të cilën e kemi pasur afërsisht 25% të pjesëmarrjes së nxënësve në shkolla, këtë të shtunë deri më tani ka një rritje të lehtë. Është rreth 35 për qind pjesëmarrja e nxënësve në shkolla. Shkollat e fshatrave kryesisht nuk janë dalë, mësimdhënësit kanë dalë, mirëpo nxënësit jo. Ndërsa në qytet e kemi një rritje në shkollën fillore "Zekeria Rexha", në krahasim me të shtunën e kaluar...Tek ato shkollat të cilat pjesëmarrja është dukshëm më mirë është duke u mbajtur mësim, ndërsa te shkollat të cilat nuk kanë shkuar nxënësit nuk po mbahet. Situata është pak më ndryshe se të shtunën e kaluar", tha ajo.
Pavarësisht që nuk kanë qenë të pëlqimit me kalendarin e ri nga MASHT-i, ajo tha se është shpërndarë në të gjitha shkollat, pasi ka qenë për detyrë. Derisa shtoi se është më e drejtë opsioni i kryetari të kësaj komune, që mësimi i humbur të kompensohet gjatë ditëve të javës me nga një orë më shumë.
Video:
"Ne e kemi shpërndarë për shkak se drejtoria e arsimit e ka për detyrë ta shpërndajë kalendarin e MAShT-it, porse ne prapë mendojmë se opsioni i kryetarit të komunës, Ardian Gjini, i cili ka kërkuar që në ditët e punës të shtohet nga një orë mësimi për t'i kompensuar orët e humbura do të ishte më efektiv. Ne prapë mendojmë që ajo pjesë është më efektive sesa këto të shtuna ku shihet një pjesëmarrje e ulët e nxënësve", shtoi ajo.
Rudi: Ditët e humbura duhet zëvendësohen
Video:
Ndërsa, në një dokument që Ministria e Arsimit ua ka dërguar drejtorive, të enjten është kërkuar që në takimet e kujdestarëve të klasave me prindër të sqarohet domosdoshmëria e realizimit të ditëve të mësimit për orët e pambajtura si pasojë e grevës, në funksion të zbatimit të plan-programit dhe arritjes së rezultateve mësimore të synuara për nxënësit.
Kundër mbajtjes së mësimit të shtunave po vazhdon të shprehet Këshilli i Prindërve të Kosovës dhe SBAShK-u.
Greva në arsim është mbajtur nga 25 gushti e deri më 3 tetor.