Mësimdhënësit nga Prizreni i caktohet 1 muaj paraburgim
Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, ndaj të pandehurit F.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ofrim i materialit pornografik personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet.
Sipas një komunikate të gjykatës, me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet.
“Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale. Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, dhe faktin se i pandehuri nuk është paraqitur në Polici me ftesë të rregullt, kjo tregon rrezikun me lënien në liri të të pandehurit i njëjti mund ti shmanget përgjegjësisë penale dhe të pengojë rrjedhën e procedurës penale. Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimit i paraburgimit në këtë fazë të procedurës është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm. Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij”, thuhet në komunikatë.