Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Tiranë, ka takuar sot kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, ku kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe Shqipëri dhe thellimin e bashkëpunimit mes PDK-së dhe PD-së.
Krasniqi u shpreh i kënaqur për mikpritjen dhe falënderoi Bashën për gatishmërinë e tij për përforcimin bashkëpunimit dhe koordinimit mes dy partive që i përkasin boshtit të njëjtë ideologjik.
Lideri i PDK-së theksoi se përtej kësaj, në takim u diskuta në detaje për tema të brengave të përbashkëta.
"Kosova dhe Shqipëria kanë shumë sfera ku ka nevojë të intensifikojnë bashkëpunimin që të rrisin koordinimin edhe institucional dhe gjithmonë ka qenë dhe është shembull i mirë se pavarësisht se a jemi në qeveri apo në opozitë në vendet tona, ne bashkpunimin Kosovë - Shqipëri, Shqipëri - Kosovë e kemi të padiskutueshëm dhe prioritet të prioriteteve, andaj gëzohem që edhe si dy udhëheqës të partive kryesore opozitare në Kosovë dhe Shqipëri e vlerësojmë që obligimet dhe përgjegjësitë tona për të thelluar këtë bashkëpunim ndërmjet shteteve tona janë detyra dhe përgjegjësi të përbashkëta.", tha Krasniqi.
"Natyrisht, folëm për zhvillimet e fundit, në veçanti sa i takon zhvillimeve të dialogut midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ku PDK qëndron fuqimisht në të njëjtin pozicion sa i takon objektivit të këtij dialogu, që është njohja e ndërsjellë mes dy vendeve dhe në veçanti ndan pikëpamjen se rikthimi i një koordinimi të fuqishëm mes shteteve të BE dhe SHBA është një shancë e mirë për të shtyer përpara këtë dialog dhe për të tejkaluar pengesat, ku sigurisht një barrë e madhe i përket BE-së dhe 5 vendeve anëtare, njohja prej të cilave e realitetit të Republikës së Kosovës do të shmangë përfundimisht çdo skenar si ato në Bosnje Hercegovinë që kërcënojnë arkitekturën e paqes dhe stabilitetit në Ballkan, por edhe vetë paqen dhe stabilitetin europian.", tha ai.
Basha tha se diskutuan edhe rreth domosdoshmërisë së forcimit të luftës kundër korrupsionit nga institucionet e pavarura dhe të gjitha këto në funksion të mirëqenies qytetare, sepse armiku kryesor i mirëqenies qytetare si në Shqipëri si në Kosovë mbeten institucionet e dobëta dhe lufta kundër korrupsionit, e cila duhet të jetë prioritet i secilit politikan nga cilado pozitë.