Lirimi i Hysni Gucatit është hap i mbarë për lirimin e krerëve të tjerë, të cilët po mbahen padrejtësisht në Hagë.
Kështu ka thënë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi gjatë një vizite që sot bëri së bashku me disa nga deputetët e kësaj partie në shtëpinë e ish-kryetarit të OVL të UÇK-së, Hysni Gucati.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se pret që nga Haga të lirohen edhe bashkëluftëtarët e tjerë.
"Pa dyshim, se është një nga lajmet më të gëzueshme jo vetëm të këtyre ditëve, por edhe të kësaj periudhë lirimi i Hysni Gucatit. Erdha sot me bashkëpunëtorët e mi nga PDK-ja për të uruar Hysniun dhe familjen e tij, por edhe për të shprehur edhe këtë gëzim që ndjej që një nga çlirimtarët, të cilët e kanë mbajtur për kaq kohë në Hagë, që sot është i lirë dhe i është bashkuar familjes së vet. Ne shpresojmë shumë që edhe shumë shpejt do t’i kemi edhe çlirimtarët e tjerë duke filluar nga Nasimi që presim shpejt, por po ashtu shpresojmë edhe përfundimin që sa më shpejt të proceseve gjyqësore të të gjithëve për t’i pasur sa më shpejt pranë nesh, mesin tonë afër familjarëve të tyre dhe për të qenë brenda Kosovës dhe pranë qytetarëve që gjithmonë i kanë mbështetur e po i mbështesin edhe sot e kësaj dite" tha Krasniqi.
Deputeti tjetër i PDK-së, Mërgim Lushtaku tha se është gëzim për të gjithë edhe pse i vonuar, ai tha se çdo ditë po vërtetohet që drejtësia e gjykatës është politike.
Edhe kryetari i Skenderajt, Fadil Nura ka thënë se shpreson se do të lirohen edhe bashkëluftëtarët e tjerë që ndodhen në Hagë, pasi që edhe ata janë të pafajshëm.
Në maj 2022, Gucati së bashku me ish-nënkryetarin e OVL të UÇK-së Nasim Haradinaj u dënuan me katër vjet e gjysmë burgim për akuzat për pengim të drejtësisë, ndërsa më pas Apeli ua ulin dënimet për tre muaj.
Që të dy u arrestuan më 5 shtator 2020 dhe që atëherë gjendeshin në mbajtje në Hagë.
Dega e OVL-UÇK në Skenderaj organizon pritje madhështore për Gucatin - KosovaPress
Gucati bën homazhe në Marinë dhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz - KosovaPress