Meloni në Shqipëri, ama duhet dhe qasje konstruktive, rajone evropiane në Ballkan, investime
Lexohet për: 6 min.
MUharrem Salihu
6 muaj më parë
Linku u kopjua

Nga Muharrem Salihu, detto Marco

Si ishte parashikuar, në Gjadër, Shqipëri qëndroi për të vizituar ecurinë e punimeve për qendrat e grumbullimit të emigrantëve, kryeministrja Xhorxhia Meloni.  Angazhimi i Shqipërisë, lloji i zgjidhjes që propozohet ka krijuar polemika në frontin politik italian, si u duk dhe nga incidentet e panevojshme me deputetin Riccardo Maggi. Është afërmendsh, që vizita e zonjës Meloni vetëm në Gjadër, në këtë ditë ndërlidhet me fushatën për zgjedhjet evropiane, ku tema e përballimit të emigracionit të paligjshëm është kryesore. Çfarë pamë: zonja Meloni u mburr se fluksi ka rënë në 60%, se shembullin e Shqipërisë duhet ta marrë dhe dikush tjetër. Kryeministri Rama përdori vizitën e saj për të treguar me gisht emisionin Report si i frymëzuar pikërisht nga marrëveshja e tij me zonjën Meloni.¨Edhe nëse është gabim kjo marrëveshje, është gabim me zemër¨, tha ai.

Si kandidat i Stati Uniti d’Europa, si ndërmarrës prej 32 vjetësh në Itali, si i etnisë shqiptare kam diçka origjinale, jopartiake për të propozuar. Shqipëria është përfshirë në pasticcion italiane për të shlyer borxhin historik ndaj fqinjës së perëndimit e cila ka ndihmuar në integrimin e bashkëkombasve tanë në këto 35 vjetët e fundit. Roli i Shqipërisë është me karakter shkurajues: kush rrezikon jetën do rimendohet dy herë para se të niset nga Afrika, e të paguajë anijet e rrezikshme, menaxhuar nga mafia. Gjatë këtij viti që nga firmosja e marrëveshjes deri tek vizita e Melonit në Gjadër, kush ka ndërmend të niset, ka kuptuar bukur mirë-pasi ka njëfarë shkollimi-se do të përfundojë në Shqipëri e jo në Venezia.  Ndaj dhe flukset janë pakësuar disi. Po ashtu, përfshirja e Shqipërisë duket se do të japë shembullin te bashkësia evropiane: kush zbarkon në brigjet italiane, në fakt zbarkon në territorin e BE dhe barra e problemit duhet ndarë në mënyrë të përpjesëtuar. Shqipëria  e vetme as që mund të mendohet se do të përballojë gjithë eksodin nga Afrika.

Mirëpo nga një vend si Shqipëria, që dikur prodhonte vetë refugjatë, ndihma për emigracionin, nuk është e gjithë gama e rrugëve të bashkëpunimit me Italinë. Italia  duhet të rikthehet tek një rol i fuqishëm politik dhe ekonomik në rajon, në përputhje me kontributin ushtarak e humanitar që ka dhënë në Shqipëri, Kosovë, e kudo. Italia duhet të integrojë në mënyrë racionale emigrantët ekonomikë që vijnë nga vendet me afërsi kulturore, gjuhësore, gjeografike me të, si Shqipëria, Maqedonia, Kosova, sipas modelit gjerman, kroat, etj. Ligji Bosi Fini është i tejkaluar tashmë. Ai duhet të shfuqizohet apo amendohet.

Komuniteti shqiptar i disa ngulimeve, përfshirë atë historik të arbëreshëve, shkon mbi një milionë banorë, me dhjetëra mijëra kompani, mbi njëqind mijë studentë, miliarda euro qarkullim ekonomik, me 400 mijë individë me dyshtetësi. Italia është atdheu i dytë yni, atdheu i parë i fëmijëve tanë, që ne e duam shumë sepse na ka mirëpritur dhe na ka dhënë të tashmen ku do ndërtojmë të ardhmen.  Në territorin e saj po vendosen emigrantë që kanë besime fetare të ndryshme, nga ai i italianëve, më së shumti myslimanë. Si bashkësia më e integruar e shtetasve nga Evropa, dhe e krahasueshme me komunitetin rumun, shqiptarët kanë krijuar qendra kulturore, fetare, humanitare, që frekuentohen edhe nga bashkësi të tjera myslimane. Sistemi politik italian ka filluar të modifikojë shumë sjellje të tyre, duke i emancipuar nga ana e kulturës. Ky emancipim i komuniteteve të huaja, me shqiptarët në qendër - më të integruarit, më properëndimorët-, është vetëm vektori i parë. Angazhimi sistemik italian do të ndikojë gradualisht dhe në emancipimin kulturor e fetar të shqiptarëve, e të tjerëve në vendet e origjinës, duke kufizuar hapësirën e ekstremizmit fetar. Pra shikoni sesa rol të madh emancipues ka për të luajtur Italia në një pellg shumetnik  si Ballkani apo dhe vendet islamike ku potenciali i konfliktit me sfond etnik e fetar është i pranishëm, dhe me nxitjen e të treve. Italia mund të kontribuojë për sigurinë e vet, dhe në mënyrë asimetrike.

Italia ka rolin udhëheqës në KFOR, misioni i NATO-s vendosur në Kosovë. Ky angazhim bujar i saj, i mijëra burra e grave me uniformë nuk është përkthyer në rritje të autoritetit të saj në rajon, apo shtimin e investimeve italiane. Për të adresuar në mënyrë krijuese këtë mungesë të madhe, Italia mund të gjejë mënyra për të qenë më e pranishme në dialogun Kosovë-Serbi, qoftë dhe si vend zhvillim i takimeve të niveleve të ndryshme të dialogut, ku diplomacia italiane mund të përfshihet.  Ndërkohë, unë sugjeroj të gjenden forma të reja të krijimit të rajoneve evropiane, propozim i kahershëm i ekspertëve italianë  duke koncentruar investime, kontribute arsimore, infrastrukturore, etj., në zona ku ka popullsi multietnike në krejt Ballkanin, duke delokalizuar kompani të vogla dhe të mesme. Italia mund të përfshihet në projekte ndërshtetërore infrastrukturore brenda këtyre zonave, apo që lidhin vendet e Ballkanit me njeri tjetrin. Kontrastimi i ndikimit të vendeve të treta bëhet duke nxitur investimet perëndimore në rajonin tonë ku Italia duhet të ketë rolin kryesor. Vendi ku ne jetojmë, Italia e bukur ka ruajtur dhe posedon reputacion të shkëlqyer në gjithë shtetet dhe kombet e rajonit.

Shqiptarët nuk duan ta kolonizojnë vendin bujar që i mirëpriti. Shqiptarët duan ta bëjnë më të fuqishme Italinë, me autoritet më të madh ndërkombëtar, dhe të zhvillojnë vendet e tyre të origjinës, pikërisht duke u mbështetur te madhështia italiane.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024