Meloni e përshkruan propozimin rus për paqen në Ukrainë si propagandë
Lexohet për: 2 min.
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni të shtunën e përshkroi propozimin e presidentit rus Vladimir Putin për paqen në Ukrainë si propagandë.

"Unë besoj se kjo ka të bëjë më shumë me propagandën sesa një propozim të vërtetë dhe të shëndoshë për negociata," tha Meloni në një konferencë shtypi për të shënuar mbylljen e samitit të G7 të mbajtur në qytetin juglindor të Italisë, Borgo Egnazia.

Ajo theksoi rëndësinë që Ukraina të ruajë integritetin e saj territorial. Putin të premten i ofroi Ukrainës paqen me katër kushte: Ukraina të tërheqë trupat e saj nga rajonet Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia, të pajtohet me përfitimet territoriale të Rusisë, të konfirmojë statusin e saj neutral dhe të anulojë të gjitha sanksionet anti-ruse nga Perëndimi.

Si Ukraina ashtu edhe Perëndimi e hodhën poshtë propozimin si jorealist. Udhëheqësit e vendeve të G7 -SHBA, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia, Kanada dhe Japonia – dhe Bashkimi Evropian nisën një samit tre-ditor në qytetin Borgo Egnazia në Itali.

Meloni u zotua gjithashtu për përpjekje të vazhdueshme për të gjetur një zgjidhje për konfliktin në Lindjen e Mesme.

"Tani ajo që duhet të bëjmë është të punojmë për paqen dhe kjo është pikërisht ajo që po bëjmë. Dhe për të punuar për paqen duhet të dialogojmë dhe duhet të njohim të drejtën e Izraelit për të qenë i sigurt ... dhe për të jetuar në paqe, dhe e drejta e palestinezëve për të pasur shtetin e tyre për të jetuar, në mënyrë paqësore”, vuri në dukje kryeministrja italiane. /AA

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024