Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj sot inspektoi aktivitetet e planifikuara gjatë stërvitjes fushore "Phoenix Alfa", të realizuar nga Regjimenti i Dytë i Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së në Poligonin Stërvitor në Babaj Bokës.
Me këtë rast, përveç vizitës në vend-komandë, ministri Mehaj i shoqëruar nga zëvendëskomandanti i Forcave Tokësore, kolonel Hysen Dreshaj, vizitoi edhe pjesëtarët gjatë demonstrimit praktik të stërvitjes.
Ministri Mehaj theksoi se "Phoenix Alfa konfirmon se aftësitë dhe kapacitetet operacionale ushtarake për mbrojtjen e integritetit territorial të vendit janë në shkallën e zhvillimit dhe gatishmërisë në përputhje të plotë me qëllimin tonë strategjik”.
Stërvitja fushore “Phoenix Alfa” është në kuadër të planit vjetor të stërvitjeve për ngritjen e aftësive dhe kapaciteteve operacionale për mbrojtjen e integritetit territorial të vendit.