Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka lavdëruar punën, angazhimin dhe saktificën e pjesëtarve të kontigjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës të cilët për disa ditë me rradhë shërbyen në operacionin e kërkim-shpëtim në Turqi.
Ata të hënën në mbrëmje janë kthyer në Kosovë dhe janë pritur me nderime.Ministri Mehaj ka thënë po ashtu se këta janë krenaria jonë, heronjtë tanë që përveçse shpëtuan jetë njerëzore treguan edhe nivel të lartë profesionalizmi.
“Sonte së bashku me Kryeministrin Kurti, Gjenerallejtënant Jasharin dhe Ambasadorin e Republikës së Turqisë, Tunç Angili, pritëm 39 pjesëtarë të kontigjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga 42 në total, të cilët për disa ditë me rradhë shërbyen në operacionin e kërkim-shpëtim në Turqi.
Këta janë krenaria jonë, heronjtë tanë që përveçse shpëtuan jetë njerëzore treguan edhe nivel të lartë profesionalizmi.
Çfarëdo fjale miradie nuk shpreh mjaftueshëm mirënjohjen ndaj ushtarëve tanë, megjithatë i falenderoj edhe një herë.
Ndërsa ky rast tregon se dallimi ndërmjet kombeve është i papërfillshëm kur bëhet fjalë për jetët njerëzore, këtu lidhja mes shteteve bëhet më e fortë e shumë reale.
Këtë ndjenjë mirënjohje e pamë edhe sonte kur në mesin e familjarëve kishte edhe shumë qytetarë të komunitetit turk, të cilët nuk kishin familjar në mesin e ushtarëve tanë, por që shpirtërisht me këtë akt humaniteti të treguar nga ana e FSK-së, i ndjenin të afërt, e po i prisnin ashtu si nëna pret djalin, apo motra, vëllaun.