Paralajmërimi i kryeministrit Albin Kurti për heqjen e regjimit të vizave ndaj Bosnjë Hercegovinës po shihet i gabuar nga ish ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj. Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së thotë për KosovaPress se heqja e vizave në mënyrë të njëanshme është kapitullim për Kosovën, duke ditur se Bosnja jo vetëm që ka regjim të vizave ndaj Kosovës por edhe ndjekë një politikë agresive kundër vendit. Në anën tjetër, analisti politik, Dorajet Imeri, thotë se vendimi i cili do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2025 më shumë është strategjik, mirëpo me rrezik që Bosnja të mos largojë regjimin e vizave për Kosovën.
Hoxhaj i cili kishte propozuar vendimin për regjim të vizave ndaj Bosnjës në vitin 2014, thotë se nga një vendim i tillë nuk përfiton asgjë Kosova, por më shumë ia përmbush ambiciet hegjemoniste Serbisë dhe Republikës Serbe.
Ish kryediplomati kosovar, thotë se në bazë të retorikës në Bosnje dhe liderit të Republikës Serbe nuk pritet të hiqet regjimi i vizave ndaj Kosovës.
Në anën tjetër, në arsyetimin e tij për këtë vendim, kryeministri Albin Kurti, pas samitit të Procesit të Berlinit, tha se mungesa e lëvizjes së lirë vetëm me letërnjoftime mes dy vendeve është një absurditet.
Ai akuzoi Republikën Serbe në Bosnjë që është shndërruar në një Bjellorusi të vogël në Ballkanin Perëndimor.
Kosova ka vendosur regjim të vizave ndaj Bosnjës në vitin 2014, duke vendosur reciprocitet.