Me moton “Kundër shtetit që i vret gratë” kërkohet shkarkimi i kryeprokurorit Munishi
Siguri
Lexohet për: 4 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Me moton “Kundër shtetit që i vret gratë”, përmes një aksioni simbolik para Këshillit Prokurorial të Kosovës, Organizata Joqeveritare “Qika” kanë kërkuar shkarkimin e kryeprokurorit, Kujtim Munishi me rastin e Sebahate Morinës, e cila u vra nga ish-bashkëshorti.

Sipas tyre, vendimi nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me rastin e thotë qartë se shteti ia mohoi Sebahatës të drejtën për jetë, duke shtuar se ajo u vra, sepse Policia e Kosovës në Graçanicë dhe Prokuroria Themelore në Prishtine kanë dështuar përmbushjen e detyrimeve të tyre pozitive për mbrojtje të jetës së saj.

Derisa kërkuan përgjegjësi për rastin, Leonida Molliqaj nga kjo organizatë thotë se edhe pas dy javëve nga nxjerrja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk kanë parë ndonjë reagim të institucioneve përgjegjegjëse për vrasjen e Sebahates.

Ndërkaq, Adelina Berisha po ashtu nga organizata Rrjeti i grave thotë se edhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë duhet të bëjë shkarkimin e zyrtarëve policor të cilët nuk e adresuan dhe nuk e trajtuan rastin ashtu siç e kërkon korniza ligjore.

“Vendimi i Kushtetueses duhet të zbatohet, ai është vendimi më i lartë që mund të merr një institucion në Kosovë, andaj, edhe çdo person duhet ta zbatojë këtë vendim. Kërkesa jonë është shumë e qartë, nga kryeprokurori i shtetit që menjëherë t'i zhvillojë procedurat disiplinore për shkarkimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi dhe për të gjitha shkeljet e rastit të së ndjerës tashmë, Sebahate Morinës dhe për prokurorin i cili ishte përgjegjës specifikisht në këtë rast. Kërkojmë gjithashtu edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë të bëjë shkarkimin e zyrtarëve policor të cilët nuk e adresuan dhe nuk e trajtuan rastin ashtu siç e kërkon korniza ligjore. Tashmë e kemi një të ndjerë dhe urojmë që me këtë vendim të gjitha institucionet do të jenë më të vëmendshme se si i trajtojnë rastet e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës ndaj grave”, tha Berisha.

Mes tjerash, Berisha thotë se nuk duhet asnjë grua dhe asnjë vajzë të dekurajohet në kërkimin e të drejtave që kanë.

Të pyetura për mos reagim pas vendimit të Kushtetueses nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, ajo tha se presin që ditëve në vijim reaksioni i tyre ta merr vëmendjen dhe të njëjtit të reagojnë për këtë rast.

Krejt në fund, nga kjo organizatë kanë thënë se do të vazhdohet me protesta derisa të ndodh shkarkimi i kryeprokurorit, Kujtim Munishi.

Ndërkaq për këtë së fundmi reagoi edhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit. Në një njoftim për media thuhet se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me rastin e të ndjerës Sebahate Morina, autoriteti kompetent në kuadër të institucionit të Prokurorit të Shtetit ka iniciuar procedurën disiplinore ndaj prokurorit të këtij rasti.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton opinionin e gjerë publik se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me rastin e të ndjerës Sebahate Morina, autoriteti kompetent në kuadër të institucionit të Prokurorit të Shtetit ka iniciuar procedurën disiplinore ndaj prokurorit të këtij rasti. Për epilogun e kësaj procedure opinioni publik do të njoftohet me kohë”, thuhet në njoftimin për media nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit./E. Krasniqi

Si është cilësia në arsim nëpër shkolla e fakultete?
E mirë
Mesatare
E dobët
Voto
91
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024