Organizata “Shqiptaria” ka bërë me dije se më 6 maj, në Prishtinë, do të organizojë, në bashkëpunim me partnerët e saj, një manifestim me rastin e ditëlindjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Në këtë ngjarje pritet të marrin pjesë delegacione arbëreshe nga Italia, përfaqësues të komunave arbëreshe ku përfshihen grupe nga Kalabria dhe San Marzano, i njohur si “Katundi i Ni Zemra” si dhe pasardhësi I familjes Kastrioti - Loris Castriota.
Organizatorët, sipas një njoftimi që kanë bërë në rrjete sociale, theksojnë se ardhja e këtyre delegacioneve “është dëshmi e gjallë se fryma arbërore dhe trashëgimia e Gjergj Kastrioti Skënderbeut vazhdojnë të jetojnë fuqishëm ndër breza”.
Kjo është hera e tretë që Organizata “Shqiptaria” organizohen festimin e ditëlindjes së Skënderbeut, në Prishtinë.
Pas dy edicioneve të para, ngjarja ka marrë përmasa pothuajse të një feste kombëtare dhe synohet të kthehet në traditë, duke pasur pjesëmarrje të lartë si për nga niveli i mysafirëve speciale, ashtu edhe për nga numri i vizitorëve.
Në krye të ushtrisë shqiptare, pas triumfit të parë në betejën e Torviollit, Skënderbeu do të korrte 22 fitore të mëdha kundër Perandorisë Osmane. /KosovaPress/