Qeverisë së Kosovës po i kërkohet të koordinohet me aleatë ndërkombëtarë sa i përket veprimeve në veri të Kosovës. Një ditë pas reagimit të ShBA-së dhe Bashkimit Evropian, kundër mbylljes së katër objekteve të qendrës serbe për punë sociale në veri, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se ekzekutivi duhet të jetë më i kujdesshëm dhe mos të thellojë dëmtimin e raporteve me aleatë, veçmas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në anën tjetër, në ekzekutiv nuk kanë kthyer përgjigje për KosovaPress, në lidhje me reagimin e ShBA-së dhe BE-së, kundër mbylljes së objekteve të qendrës serbe për punë sociale.
Autoritetet e Kosovës i kanë mbyllur të premten katër objekte të Qendrës për punë sociale, të cilat funksiononin në kuadër të sistemit paralel serb për shkak të dyshimit, siç është thënë se aty janë kryer veprime të paligjshme lidhur me procesin zgjedhor.
Për të shmangur thellimin e dëmtimeve të raporteve me aleatë, politologu, Albinot Maloku, thotë për KosovaPress, se qeveria duhet të punojë më shumë në mënyrën sesi po vepron në pjesën veriore të vendit.
Sipas tij, megjithëse vendimi për mbylljen e këtyre qendrave paralele serbe në veri, është i drejtë dhe ligjor, i njëjti duhet të merret në koordinim me aleatë.Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe Bashkimi Evropian edhe më herët kanë reaguar kundër veprimeve siç i kanë quajtur të njëanshme të Qeverisë së Kosovës, si për mbylljen e strukturave paralele serbe në veri dhe ndalimin e përdorimit të dinarit serb.