Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se ka pranuar gjithsej gjashtë oferta për ankandin solar 100MW dhe mund të pranojë edhe të tjera përmes postës deri më 3 shkurt, kur edhe do të bëhen publike emrat e kompanive që kanë dorëzuar ofertat.
Ankandi i parë solar në Kosovë është përmbyllur sot më 31 janar, duke ofruar një mundësi unike për investitorët që të shfrytëzojnë burimet e konsiderueshme të energjisë së ripërtëritshme të vendit.
Komisioni vlerësues, i udhëhequr nga Ministria e Ekonomisë dhe i përfaqësuar nga institucionet kryesore, përfshirë MAPHI-në, Zyrën e Rregullatorit për Energji dhe KOSTT-in, do të vlerësojë ofertat kundrejt kërkesave minimale financiare, profesionale dhe teknike, siç janë përcaktuar në dosjen e tenderit.
Ofertuesit e kualifikuar do të kalojnë më pas në procesin e ofertimit elektronik ose “e-ankandit”, kur ata do të kenë mundësinë të ulin çmimin e tyre fillestar.
Ky ankand i parë solar po tërheq investime të huaja dhe shënon një kapitull të ri në rrugëtimin e Kosovës drejt një të ardhmeje me energji të qëndrueshme dhe të pastër.
Përveç ndikimit në sektorin e energjisë, ky projekt solar do të sjellë përfitime të shumta. Komunitetet lokale do të përfitojnë nga mundësia e vendeve të reja të punës, zhvillimi i shkathtësive dhe transferimi i teknologjisë.
Për më tepër, një furnizim me energji elektrike më stabile dhe me kosto të ulët do të mbështesë të gjitha familjet dhe bizneset në Kosovë dhe do të ulë varësinë sezonale nga importi i energjisë.
Ky parashihet të jetë ankandi i parë prej shumë ankandeve solare dhe të erës në të ardhmen.