(E përditësuar) Lexohen deklarata të ish-komandantëve të zonave, pakënaqësi për anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm
Në seancën gjyqësore ndaj Thaçit dhe të tjerëve, ku dëshmitar është Rrustem Mustafa, janë lexuar deklarata nga takimet e komandantëve të zonave, ku shpreheshin pakënaqësi për anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.Lidhur me këtë, ish-komandant Remi ka thënë se nuk e di se çfarë ka menduar atë kohë.
Pjesë nga dëshmia e ish-komandant Remit:
Mustafa: Kështu po shkruan këtu.
Misetiq: Sami Lushtaku, dhe pastaj ju personalisht, dhe për këtë dua të më komentoni se Sami Lushtaku thuhet se ka thënë se Rexhep Selimi, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli kanë zhgënjyer bashkëluftëtarët e tyre. Çfarë keni dashur të thoni që kur jeni shprehur se Rexhep Selimi, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli i kanë zhgënjyer bashkëluftëtarët e vjetër të luftës?
Misetiq: A është e drejtë themi se disa nga personat për të cilët ishin të pakënaqur komandantët e zonave ishin për Jakup Krasniqin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Hashim Thaçin?
Mustafa: Në bazë të kësaj që po shkruan këtu, është e drejtë.
........................................................................
(E përditësuar) Jakup Krasniqi është prej figurave më të respektuara në Kosovë,thotë Remi në Speciale
Ish-komandant Remi theksoi se Krasniqi është një prej figurave më të respektuara në Kosovë, derisa u përgjigj në pyetjet e avokates Venkateswari Alagendra.
"Jakup Krasniqi ishte aktivist i madh politik dhe ai po krijonte dhe po përhapte besim tek gjenerata ime dhe shumë të tjerë, dhe Jakup Krasniqi ka qenë me këmbëngulje për t’u bërë Kosova e lirë... Unë Jakup Krasniqin e kam njohur si zëdhënës të UÇK", deklaroi ai.
Të akuzuarit po marrin pjesë fizikisht në sallën e gjyqit për ta dëgjuar këtë dëshmi.
....................................................................
Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, i cili po dëshmon në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deklaroi se disa anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm qëndronin jashtë Kosovës në pjesën më të madhe të konfliktit.
Seanca gjyqësore filloi me parashtrimin e pyetjeve nga mbrojtja e Kadri Veselit, avokati Ben Emmerson.
Pjesë nga dëshmia e ish-komandant Remit:
Emmerson: A ishit në dijeni asokohe që disa nga anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm përveç Azem Sylës për të cilin biseduam qëndronin jashtë Kosovës për pjesën më të madhe të konfliktit veçanërisht nga nëntori 1998 dhe marsi 1999. ‘Të gjithë qëndronin jashtë vendit me përjashtim të Jakup Krasniqit, Ramë Bujës dhe komandantit të zonave, të gjithë të tjerët qëndronin jashtë vendit’. Ju kujtohet që na e dhatë këtë përgjigje, a mund ta pohoni në seancë publike se përgjigja juaj ishte e saktë?
Ndërsa pjesa më e madhe e pyetjeve nga avokati Emmerson është bërë në seancën e së premtes.
Pas intervistimit nga Emmerson, ish-komandant Remi po merret në pyetje nga mbrojtja e Jakup Krasniqit.
Kjo është dita e pestë e Rrustem Mustafës si dëshmitar në Gjykatën Speciale, në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
Gjykimi kundër tyre ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.