Me deklaratën e mbrojtësit të viktimave, pas disa orëve ka përfunduar seanca e parë gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale.
Prokuroi i Specializuar, James Pace në vazhdimin e deklaratës hyrëse ka thënë se provat e siguruara tregojnë për keqtrajtimet në qendrat e ndalimit.
Në përmbyllje të deklaratës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, prokurorja Clare Laëson tha se janë intervistuar me mijëra dëshmitarë, ku pjesa më e madhe janë shqiptarë të Kosovës. Po ashtu, shtoi se ZPS ka marrë një mori provash shkresore dhe qindra faqe të sekuestruara në shtëpitë e të akuzuarve.
Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws ka thënë se për viktimat ka qenë e paimagjinueshme se një ditë do të niste gjykimi.
“Ka edhe pjesë të medias në Kosovë që përpiqen të hedhin hije dyshimi mbi punën e kësaj gjykate. Dhe do të shohim përmes dëshmitarëve këtu, që në fakt nuk është një qasje me të cilën pajtohen, përkundrazi. Ndjehen edhe më të fortë, se të paktën më në fund kjo gjykatë iu ofron njëfarë llogaridhënie. Shumë viktima besojnë se shumica e personave në Kosovë nuk i gjykojnë viktimat në këtë formë, por i mbështesin ata siç mbështesin këtë gjykatë. Por, ata nuk janë zërat që dëgjohen më shpesh në publik apo në media, ata janë shumica që heshtë”, ka deklaruar ai.
Në vijim, ai ka kërkuar që gjykimi të përqendrohet në pranimin e dëmit, që siç tha, u është shkaktuar viktimave. Me deklaratën e tij, ka përfunduar dita e parë e gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së.
Në Hagë, sot ka nisur gjykimi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, të cilët janë deklaruar edhe sot të pafajshëm në paraqitjet e tyre para gjykatësit të procedurës paraprake.