Mbreti i Spanjës pasi u godit me baltë: Zemërimi i njerëzve duhet kuptuar
Magazina
Lexohet për: 2 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua
Zemërimi dhe zhgënjimi i njerëzve të prekur nga përmbytjet në provincën e Valencias duhet "të kuptohen", tha Mbreti Filip VI i Spanjës në një video-mesazh në rrjetet sociale.
Mbreti u bëri thirrje banorëve që "të japin shpresë dhe të garantojnë se shteti është i pranishëm në të gjithë plotësinë e tij", disa orë pasi ai u godit me baltë gjatë vizitës në qytetin Paiporta.
Mbreti Felipe, mbretëresha Letizia, kryeministri Pedro Sanchez dhe udhëheqësi rajonal Carlos Mazón erdhën për të shprehur solidaritetin me viktimat sot, por ata vizituan vetëm një vend.
Pas një pritjeje armiqësore në Paiporta, ku përmbytjet vranë 62 persona, ata hoqën dorë nga vizita në zonat e përmbytura.
Banorët e provincës ndihen të braktisur dhe pretendojnë se shërbimet shtetërore u vonuan në ndihmë të viktimave. Qytetarët e Paiportës hodhën baltë dhe gurë drejt zyrtarëve më të lartë të Spanjës, me thirrjet “vrasës, vrasës!”
Sigurimi u detyrua të mbrojë zyrtarët nga protestuesit e zemëruar. Ishte një sulm i paprecedentë ndaj çiftit mbretëror që kur ata erdhën në fron në vitin 2014.