Mbi një mijë fëmijë vrapojnë për Ditën Olimpike në Prishtinë
Sport
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Mbi një mijë fëmijë vrapojnë për Ditën Olimpike në Prishtinë
Kok-3
04/06/2026 - 11:43
Linku u kopjua

Në një atmosferë festive dhe të mbushur me entuziazëm fëmijësh, sheshi i Prishtinës u shndërrua në arenën kryesore të festimeve për Ditën Olimpike. Mbi njëmijë nxënës nga shkolla të ndryshme të kryeqytetit u mblodhën për të shënuar këtë datë të rëndësishme globale të sportit, e cila u festua më herët se data zyrtare e 23 qershorit, me qëllim që nxënësit të mund të merrnin pjesë para përfundimit të vitit shkollor.

Të pranishëm në këtë ngjarje masive ishin figura të larta të sportit, duke përfshirë Presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës Ismet Krasniqi dhe Drejtorin e Sportit në Komunën e Prishtinës, Granit Geci.

Gjatë fjalimit para të pranishmëve, Presidenti i Komitetit Olimpik kujtoi rëndësinë e lidhjes mes sportit dhe arsimit, duke garantuar se aktiviteti fizik ndihmon në rritjen e përqendrimit në mësime dhe në zhvillimin e një jete të shëndetshme.

“Unë ju thërras të gjithë juve fëmijëve të dashur, shfrytëzojeni sa më shumë jetën tuaj të mirë me sport dhe me mësim. Këto të dyja lidhen shumë ngushtë njëra me tjetrën. Sporti ju ndihmon të keni trurin më të përqendruar në mësimet e juaja. Merruni me sport! Sepse kur merreni me sport, jeni më të aftë edhe për të mësuar, ju premtoj këtë... Pra merruni me sport që të jeni më të shëndetshëm, jeni më të fokusuar, dhe jeni më të mirë për popullin tonë, për vendin tonë, për shtetin tonë”, deklaroi Krasniqi.

Nga ana tjetër, Drejtori i Sportit në Komunën e Prishtinës, Gramit Geci, dha një mesazh të qartë dhe të fortë për gjeneratat e reja. Thirrja e tij për nxënësit ishte që të largohen nga ekranet e telefonave dhe t'i përkushtohen aktiviteteve sportive

“Sot për juve kam vetëm një këshillë: merruni me aktivitete sportive, largohuni nga telefonat dhe rrituni të shëndetshëm ashtu siç tha edhe presidenti më parë. Andaj ju lus të jeni të mirë, të shëndetshëm, merruni me aktivitete sportive dhe e ardhmja juaj është e ndritshme. Faleminderit shumë të gjithëve”, theksoi Geci.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026