Dënim fajësie me 35 vjet burgim ka kërkuar Zyra e Prokurorit të Specializuar për ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, për të cilin pretendon se ka kryer krime lufte. Por njohës të proceseve gjyqësore në Kosovë, thonë se nëse Mustafa shpallet fajtor, ligji më i favorshëm për t’u aplikuar është ai i ish-Jugosllavisë, i cili dënimin maksimal për krime lufte e parasheh deri në 20 vjet. Ky është aktgjykimi i parë për krime të pretenduara të luftës që shpallet nga Specialja që prej themelimit të saj shtatë vjet më parë.
Shpalljen e aktgjykimit ndaj tij, Mustafa do ta dëgjojë më 16 dhjetor në Dhomat e Specializuara në Hagë, pas më shumë se 2 vjet qëndrimi në paraburgim.
“Sipas rregullit 159(2) të Rregullores, aktgjykimi ose përmbledhja e tij do të shpallet publikisht në emër të popullit të Kosovës dhe në prani të të akuzuarit, përveç nëse rrethanat e jashtëzakonshme e arsyetojnë mungesën e tij... Paneli me këtë rast: a. CAKTON shpalljen e aktgjykimit për ditën e premte, më 16 dhjetor 2022 nga ora 09:00 deri në ora 10:30, në seancë publike; dhe b. URDHËRON që z. Salih Mustafa të jetë fizikisht i pranishëm në sallën e gjyqit në selinë e Dhomave të Specializuara”, thuhet në vendimin e turpit gjykues.
Medina Kadriu e cila monitoron seancat e Gjykatës Speciale, thotë se nëse Mustafa shpallet fajtor, atëherë ligji më i favorshëm për t’u aplikuar është ai i ish-Jugosllavisë, i cili dënimin maksimal për krime lufte e parash deri në 20 vjet.
E pas shpalljes së aktgjykimit, varësisht nga përmbajtja e tij, palët kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës së Apelit.
Nëse Mustafa shpallet i pafajshëm, ZPS mund të kërkojë ndryshimin e aktgjykimit apo kthimin e rastit në rigjykim. Ndërsa nëse i njëjti shpallet fajtor, mbrojtja mund të kërkojë lirimin e tij nga fajësia, uljen e dënimit apo kthimin e rastit në rigjykim.
Ndërsa në Organizatën e Veteranëve të Luftës se Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, konsiderojnë se kjo gjykatë merr vendime të dirigjuara nga politika.
Ushtruesi i detyrës së kreut të kësaj organizate, Faton Klinaku thotë për KosovaPress, se nuk kanë shumë shpresë për një vendim të drejtë ndaj Salih Mustafës.
Procesi ndaj Mustafës në Hagë është përcjellur me zvarritje sa i përket procedurës paraprake e cila ka zgjatur mbi 11 muaj.
Mbrojtja e ish-pjesëtarit të UÇK-së ka pasur ankesa lidhur me vonesa në nxjerrje të materialeve, në përkthime si dhe redaktime të shumta.
Janë tetë persona që të cilët pretendojnë që janë viktima dhe që kanë marrë pjesë në këtë proces gjyqësor, ndërsa janë dëgjuar 14 dëshmitarë të ZPS-së dhe 15 të mbrojtjes.
Shumë nga dëshmitarët e prokurorisë kanë qenë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.
Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.