Rreth 150 mijë pacientë kanë kryer ekzaminime në Klinikën e Radiologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), deri në nëntor të vitit 2023. Mbi 10 mijë persona i janë nënshtruar Rezonancës Magnetike (MRI), derisa janë kryer mbi 18 mijë Tomografi të Kompjuterizuara (CT). Ndërkaq, kjo klinikë merr rreth 50 kërkesa brenda ditës për MRI.
Drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë, Shkëndije Nuza në një intervistë për KosovaPress, tha se ndër kërkesat më të mëdha për ekzaminime, janë tek rezonanca magnetike. Ajo shtoi se për të bërë një CT, maksimumi i pritjes është pesë deri në shtatë ditë.
Ndërkaq, sa i përket bërjes së biopsisë, Nuza tha se në nëntë mujorin e parë të vitit 2023, janë kryer rreth 900 ekzaminime. Ajo shtoi se Klinika e Radiologjisë, posedon tri rezonanca magnetike, derisa shtoi se njëra nga to ka mbi 15 vite që punon, për çka shpreson se do të zëvendësohet me një aparat të ri.
Drejtoresha e Radiologjisë vuri në theks edhe nevojën për rritjen e stafit në këtë klinikë.
Qendra e Strokut është një strukturë shëndetësore që ofron kujdes dhe trajtim të specializuar për pacientët që kanë pësuar një goditje të trurit, e cila njihet si "strok".
Ndryshe, rëntgen aparatet e parë në Kosovë kanë arritur pas Luftës së dytë Botërore. Tuberkulozi i mushkërive në Kosovë është konsideruar si problem i madh, ku pas Luftës së Dytë Botërore fillojnë të arrijnë rëntgen aparatet e para të asaj kohe.
Ndërsa, rëntgen teknikët e parë të shkolluar në Zagreb, vijnë në Kosovë pas vitit 1954, e që në shkollën e mesme të mjekësisë në Prishtinë, në vitet 1982-1984 janë shkolluar tri gjeneratat e para të rëntgenteknikëve.
Provimi i parë specialisik për radiolog në Kosovë është dhënë në vitin 1987.