Në Kosovë gjatë periudhës janar - gusht, 2022 janë raportuar 1852 raste, ku pjesën më të madhe të rasteve është rajoni i Prishtinës, sa i përket personave të dyshuar dhe të arrestuar për dhunë në familje, pjesa më e madhe janë të gjinisë mashkullore dhe të moshës madhore. Ndërsa, sa i përket viktimave të dhunës në familje del që pjesa më e madhe e tyre janë të gjinisë femërore.
Kështu është thënë në raportin e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) në tryezën e sotme të diskutimit “Raportimi dhe trajtimi i rasteve të dhunës në familje”.
“Në Kosovë gjatë kësaj periudhe janar - gusht 2022 janë raportuar 1852 raste, ku pjesën më të madhe të rasteve ka rajoni i Prishtinës, sa i përket personave të dyshuar dhe të arrestuar për dhunë në familje, pjesa më e madhe janë të gjinisë mashkullore dhe të moshës madhore. Ndërsa, sa i përket viktimave të dhunës në familje del që pjesa më e madhe e tyre janë të gjinisë femërore. Në shumicën e rasteve të dhunës në familje të akuzuarit i përkasin gjendjes së dobët ekonomike, ndërsa sa i përket pjesës së arsimit rezulton se mbi 50 për qind e tyre për dhunë në familje kanë të përfunduar shkollim të mesëm”, tha Salihi.
Salihi tha se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka treguar efikasitet në trajtimin e rasteve të dhunës në familje, ku si kryerës kanë qenë të miturit, ndërsa sipas tij nuk ka treguar efikasitet të tillë në trajtimin e rasteve ku si kryerës të dhunës në familje kanë qenë personat madhor.
Ai tha se sa i përket rekomandimeve, kanë ftuar edhe institucionet e tjera duke përfshirë edhe Zyrën për mbrojtjen e viktimave, Qendra për punë sociale dhe Shërbimin korrektues që t’i rrisin kapacitetet për të trajtuar në mënyrë më serioze çdo viktimë, por edhe kryerësit e veprës penale dhunë në familje.
Ndërsa, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu kërkoi të punohet më shumë në këtë drejtim teksa tha se është shqetësuese fakti se nga 1 mijë e 725 persona të dyshuar për dhunë në familje, vetëm 682 janë arrestuar.
Sallahu ka bërë të ditur se për herë të parë nën përkujdesjen e Ministrisë së Drejtësisë do të organizojnë 16 ditë e aktivizmit, e cila do të jetë kampanja më e madhe, ku parashihet aktivitete të shumëdimensionale dhe të ketë ndikim për vetëdijesimin e qytetarëve kundër dhunës në familje.
Dren Rugova, nënkryetar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, tha se dhuna në familje duhet të ketë një trajtim më serioz. Sipas tij institucionet duhet të mos fokusohen ekskluzivisht në të gjeturat e fundit që përfundojnë në gjykatë por edhe në masat dhe efektet qe duhet merren për të parandaluar këto raste.
Reyes Charle Cuellar, këshilltare për Çështjet Gjinore nga Zyra e Bashkimit Evropian, tha se ky raport është i rëndësishëm për rritjen e vetëdijesimit te qytetarët, teksa shtoi se Kosova duhet të luftojë në zbatimin e konventës për të parandaluar rastet e dhunës në familje.
“Dhuna në familje dhe kundër grave është e përhapur jo vetëm në Kosovë, por edhe çdo vend tjetër, dhe është një formë dominuese. Rastet janë të përditshme, por rrallë dalin në ballina të gazetave apo lajmeve, andaj edhe një raport i tillë është i rëndësishëm për ngritjen e vetëdijes për këtë fenomen. Dhuna e cila rezulton nga dikush në një vend ku ju duhet të ndiheni të sigurt është vështirë të ikim nga kjo, por ekziston edhe frika e raportimit. Është një çështje e komplikuar që duhet adresuar nga këndet e ndryshme të vështrimit, dhuna në familje duhet të adresohet me një qasje përmes parandalimit... Gjithsesi, Kosova ka arritur progres, sidomos kur i lexojmë të gjeturat në kuptimin e numrave, kjo nuk nënkupton se duhet të ndihemi komod por duhet të luftojmë tutje zbatimin konventës”, tha Cuellar.