Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) bën të ditur se vetëm tri ditë para përfundimit të afatit ligjor për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë, një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve publikë ende nuk e kanë përmbushur këtë obligim, raporton KosovaPress.
Sipas të dhënave të përditësuara më 29 mars 2026 në mesditë: 7,482 zyrtarë publikë ose 72.32% kanë përfunduar deklarimin, 1,394 ose 13.48% janë në proces dhe 1,469 ose 14.20% nuk e kanë filluar fare deklarimin.
Sipas kësaj agjencie, tri ditët në vijim janë vendimtare dhe çdo mosveprim brenda këtij afati aktivizon automatikisht mekanizmat ndëshkues të paraparë me ligj.
“Deklarimi i pasurisë nuk është opsional - është obligim ligjor. Mosrespektimi i afatit ligjor rezulton me shqiptimin automatik të gjobës mandatore në vlerë prej 30% të pagës së subjektit deklarues. Çdo vonesë mbi 15 ditë përbën bazë për inicimin e hetimeve penale. Në këtë fazë, çdo neglizhencë është e pajustifikueshme. Ftojmë të gjithë zyrtarët që të përfundojnë deklarimin menjëherë. Koha po përfundon - veproni tani”, citohet në komunikatë Yll Buleshkaj, drejtor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.APK mbetet në dispozicion për mbështetje teknike dhe sqarime gjatë gjithë periudhës, por thekson se përgjegjësia për deklarim në kohë është individuale dhe e pa transferueshme.