Mateshiq: Kosova së paku të dyfishojë prokurorët që merren me krime lufte
Lexohet për: 4 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Numri i prokurorëve për hetimin e krimeve të luftës në Kosovë duhet të dyfishohet, meqë numri aktual nuk mund t'i përgjigjet lëndëve të parashtruara. Kështu konsideron shefi i Sektorit për Hetimin e Krimeve të Luftës në Bosnje Hercegovinë, Ivan Mateshiq. Nga përvoja e vendit të tij, ai vlerëson se Prokuroria në Kosovë nuk duhet të kërkojë disa herë intervistat e dëshmitarëve, sepse të njëjtit janë të traumatizuar nga ajo çfarë kanë parë. Në intervistën për KosovaPress, ai flet për gjykimin në mungesë dhe efektet që do të ketë në zbardhjen e krimeve të luftës në Kosovë. Po ashtu, kryeprokurori i krimeve të luftës tregon se në Bosnje janë 45 prokurorë që punojnë në lëndët e krimeve të luftës.

Zëvendësi i kryeprokurorit të Prokurorisë së Bosnje Hercegovinës, Ivan Mateshiq flet për përvojën e këtij vendi për hetimin e krimeve të luftës, ku thotë se pas kësaj periudhe janë marrë deklarata nga dëshmitarët, është mbledhur dokumentacioni material dhe më pas janë ngritur kallëzime të shumta penale.

Procedimi i krimeve të luftës, siç tregon ai, bëhet edhe në nivele kontonale. Në gjithë Bosnje e Hercegovinën, Mateshiq thotë se janë 45 prokurorë të cilët merren me hetimin e krimeve të kryera 30 vjet më parë.

Udhëheqësi i Departamentit Special për Hetimin e Krimeve të Luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, thekson se mbi 80 për qind e aktakuzave kanë përfunduar me vendime fajësuese.

Pothuajse çdo e treta aktakuzë, Mateshiq tregon se është për dhunim seksual, ku gratë e mbijetuara ende vazhdojnë të dëshmojnë në kushte anonimiteti.

Teksa flet për dëshmitarët, ai tregon se shumë prej tyre kanë vdekur e disa prej tyre edhe kanë filluar të harrojnë. Mateshiq në këtë pikë këshillon Prokurorinë Speciale në Kosovë, që të mos ftohen shumë herë në intervistim.

Shefi i Sektorit për Hetimin e Krimeve të luftës, Ivan Mateshiq konsideron se numri i prokurorëve në Kosovë që merren me krime lufte nuk është i mjaftueshëm

"E di kur isha në muajin e pestë në Kosovë, sigurisht që është një numër i vogël dhe ai numër duhet të dyfishohet së paku, nëse jo më shumë, sepse më e rëndësishmja është derisa, nuk mund të them e freskët sepse ngjarjet në Kosovë ishin shumë kohë më parë, por ky grumbullim i atyre provave dhe mundësisht gjetja e të akuzuarit është gjëja më e rëndësishme për ju dhe për ne në këtë moment, kështu që një numër kaq i vogël prokurorësh sigurisht që nuk mund t'u përgjigjen në mënyrë adekuate të gjitha kërkesave të parashtruara para tyre, sepse e di që edhe në atë luftë në Kosovë ka pasur një numër të madh krimesh", thekson shefi i sektorit për hetimin e krimeve të luftës.

Ai shton se Bosnja mund të ndihmojë Kosovën në ndarjen e përvojës për hetimin e këtyre krimeve, derisa konsideron se ka prokurorë të këtij departamenti i cili punon 17 vjet vetëm në hetimin e këtyre rasteve.

Së fundmi në Kosovë është mbajtur seanca e parë e gjykimit në mungesë. Mateshiq komenton këtë proces, për çka mendon se do të ketë efekt në vendosjen e drejtësisë.

"Gjykimet në mungesë kanë një efekt të caktuar...", thotë ai.

Institucionet e Kosovës nga UNMIK dhe EULEX kanë trashëguar rreth 900 lëndë e 2 mijë të tjera për të zhdukurit.

Në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë e masakruar mbi 13 mijë civilë, dhunuar seksualisht 20 mijë gra e burra, ndërkaq ende mungojnë mbi 1600 persona të zhdukur me forcë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024