Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se janë arrestuar dy persona, pronarë të agjencionit turistik “Prishtina Jet”, pasi dyshohet se kanë mashtruar bashkatdhetarët me bileta fiktive të udhëtimit.
Në një komunikatë për media bëhet e ditur se deri tek arrestimi i tyre erdhi pas një aksioni në Prishtinë dhe Podujevë.Sipas njoftimit të Prokurorisë, personat e lartcekur dyshohen se, përmes paraqitjes së fakteve të rreme, u kanë shitur të dëmtuarve/bashkatdhetarëve bileta fiktive për udhëtim me aeroplan nga shtetet e perëndimit në Kosovë me një çmim shumë më të lirë se sa çmimi aktual, e të cilat fluturime nuk janë realizuar edhe përkundër pagesave që janë bërë nga të dëmtuarit.
Të njëjtit me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh, derisa ndaj tyre do të ndërmerren veprimet e mëtejme procedurale ligjore, si dhe, veprime hetimore ndaj rastit në fjalë, deri në epilogun përfundimtar të kësaj çështjeje penale.